Barcelona pësoi humbjen 2-1 ndaj Girona jashtë fushe në javën e 24-të të La Liga-s, në një ndeshje ku polemikat për gjykimin dominuan komentet e pas ndeshjes.
Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 59-të me golin e Pau Cubarsi, por Girona barazoi dy minuta më vonë. Në minutën e 86-të, Fran Beltrán shënoi për të përmbysur rezultatin dhe për të dhënë fitoren ekipit vendas.
Polemika më e madhe ndodhi pas golit për 2-1. Gjatë një sulmi të Gironas, Koundé ra në fushë pas një kontakti me Claudio Echeverri, por gjyqtari Soto Grado nuk ndaloi lojën, dhe topi arriti tek Fran Beltran, i cili shënoi për të dhënë epërsinë vendasve.
Lojtarët dhe stoli i Barcelonës protestuan me forcë, por as gjyqtari, as VAR-i nuk ndërhynë. Analisti i gjyqtarëve për Mundo Deportivo, César Barrenechea Montero, deklaroi: “Një goditje e pastër. Goli nuk duhej të ishte lejuar”.
Pas ndeshjes, protestat vazhduan. Raphinha, Ronald Araujo dhe trajneri Hansi Flick kërkuan sqarime për vendimin, duke e konsideruar atë vendim kritik për rezultatin final.
Portieri Joan García, i shpallur lojtari i ndeshjes pavarësisht humbjes, foli për episodin.
“Kur pashë videon, për mua ishte një faull. Jules e merr topin i pari. Jam i befasuar që VAR nuk e thirri për ta rishikuar. Por këto janë gjëra që nuk mund t’i kontrollojmë”, deklaroi ai.
Kjo humbje është një pengesë për Barcelonën, e cila tani mbetet dy pikë prapa Real Madrid, të cilët morën vendin e parë fundjavën e kaluar me një fitore ndaj Real Sociedad. /Telegrafi/