Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka mbajtur sot një konferencë për media, gjersa ka dhënë pesë prioritetet që duhet t’i ketë Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore mbi përbërjen e këtij institucioni dhe zhvillimeve të fundit rreth reformës në sistemin prokurorial.
Sipas GLPS-së, KPK si organ kolegjial që administron me sistemin prokuorial në vend, duhet të ketë prioritet mbajtjen e mbledhjes dhe miratimin e Rregullores për Zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së.
GLPS thekson tutje se prioritet duhet të jetë edhe zgjedhja e Kryesuesit dhe e Zëvendëskryesuesit, shpallja e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, plotësimi dhe ndryshimi i Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të KPK-së.
Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, prioritet po ashtu duhet të vendoset edhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
“GLPS vlerëson së prioritetet e lartcekura dhe qasja bashkëpunuese e përbërjes së re të Këshillit ndaj publikut, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë do të reflektonte një hap konkret drejt konsolidimit institucional të KPK-së dhe përmbushjes së detyrimeve ligjore për një sistem prokurorial funksional, të besueshëm, transparent e llogaridhënës”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/