Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim lidhur me vazhdimin e praktikës së mbajtjes së pozitës të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës me ushtrues detyre.
GLPS thekson se një fenomen i tillë, i përhapur pothuajse në të gjitha kategoritë dhe institucionet publike, dëmton stabilitetin institucional, zvogëlon llogaridhënien dhe dobëson profesionalizmin e administratës publike.
“Shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm ditën e djeshme, i cili njëkohësisht është edhe njëri nga kandidatët fitues, në vend që të pasohej me emërimin nga procesi i rekrutimit, përbën një praktikë shqetësuese në raport me respektimin e procedurave të rekrutimit në administratën publike.
GLPS, përmes iniciativës CorrWatch, ka monitoruar këtë konkurs në të gjitha fazat e tij, që nga shpallja e konkursit e deri te faza e intervistave. Bazuar në monitorimin tonë të drejtpërdrejtë, procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nuk janë identifikuar shkelje që do të cenonin meritokracinë, profesionalizmin apo ligjshmërinë e procesit”, thuhet në reagim.
GLPS thekson se ka reaguar vazhdimisht ndaj praktikës së mbajtjes së pozitave kyçe për periudha të gjata me ushtrues detyre, duke theksuar se institucionet publike duhet të funksionojnë përmes emërimeve të rregullta të bazuara në meritokraci, profesionalizëm dhe transparencë.
“Në këtë rast, pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit po ushtrohet për më shumë se dy vite nga ushtrues detyre, ndërsa procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar që në dhjetor të vitit 2024.
Për ne mbetet shqetësues dhe absurd fakti që janë tejkaluar edhe afatet për mbajtjen e një pozite me ushtrues detyre duke shkelur Ligjin për Zyrtarët Publik, aq më shumë kur procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar me ligjshmëri të plotë. GLPS konsideron që pozita të tilla drejtuese duhet të mbrohen nga çdo ndërhyrje apo tendencë për politizimin e tyre, dhe çdo hap tjetër përveç emërimit nga procesi tashmë i përfunduar i rekrutimit përbën shkelje ligjore”, thuhet në reagim.
GLPS konsideron që Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do duhej të angazhohej në përfundimin e procedurës së rekrutimit, rrjedhimisht fazës së emërimit, e jo të vazhdimit të një praktike të tillë.
“Për më tepër, çdo tendencë për të anashkaluar këtë proces të ligjshëm të rekrutimit është e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me parimin e meritokracisë, si dhe cenon sigurinë juridike dhe të drejtat e kandidatëve. Mospreferenca ndaj kandidatëve fitues nuk përbën bazë ligjore për anashkalim të procesit të zhvilluar” thuhet më tej. /Telegrafi/