Krahu i majtë i Atletico Madridit duket se e ka gjetur “pronarin” e ri. Matteo Ruggeri po kthehet në një nga emrat më të rëndësishëm të skuadrës së Diego Simeones, falë punës së madhe, qëndrueshmërisë dhe ndikimit direkt në lojë.
Sezoni i tij i parë me “Rojiblancos” po shkon më mirë se pritej. Ruggeri ka shuar shpejt dyshimet rreth transferimit të tij dhe në vitin 2026 ka regjistruar 7 asistime, duke u shndërruar në një armë të fortë në fazën sulmuese, pavarësisht se është mbrojtës krahu.
Asistimi i fundit erdhi në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kur shërbeu për Alexander Sorloth, gol që në fund rezultoi vendimtar për Atleticon në eliminatore.
Italiani ka fituar jo vetëm besimin e Simeones, por edhe respektin e “Metropolitanos”. Në ndeshjen e fundit ai u vlerësua veçanërisht për duelin e tij me Lamine Yamal, ku tregoi disiplinë dhe maturi, edhe pse u godit gjatë ndeshjes dhe pësoi një prerje në ballë pas një bërryli nga Gavi, duke u detyruar të marrë trajtim dhe të luajë me fashë në kokë.
Ajo që e bëri edhe më të fortë imazhin e tij te tifozët ishte fakti se Ruggeri nuk u tërhoq, u rikthye në fushë dhe vazhdoi të luftojë “deri në fishkëllimën e fundit”, duke u shndërruar në një nga simbolet e shpirtit luftarak të Atletico Madridit.
Në prapaskenë, te Atletico Madridit vlerësohet edhe lidhja e tij me Ademola Lookman, një bashkëpunim që vjen nga koha e tyre në Atalanta dhe që po i jep energji të re krahut të majtë.
Tashmë misioni i radhës për ta është i qartë – të vazhdojnë të jenë vendimtarë edhe në objektivat e ardhshëm, me finalen e Kupën e Mbretit ndaj Real Sociedad në Sevilja, që është synim i madh i klubit. /Telegrafi/