Gjyqtari italian Federico La Penna mund të pezullohet për një muaj pas vendimit të diskutueshëm në ndeshjen mes Inter dhe Juventus, e njohur si Derby d’Italia.
Përveç presionit sportiv, ai ka raportuar në polici edhe kërcënime serioze me vdekje të marra në rrjete sociale.
Interi fitoi 3-2, por ndeshja u shënua nga përjashtimi i mbrojtësit të Juventusit, Pierre Kalulu, në minutën e 42-të pas dy kartonëve të verdhë. Ndërsa kartoni i parë u konsiderua i diskutueshëm, i dyti u cilësua nga mediat italiane si “inekzistent” dhe “absurd”. Sipas raportimeve, lojtari i Interit Alessandro Bastoni dyshohet se simuloi për të provokuar kartonin e dytë. Duke qenë se nuk bëhej fjalë për karton të kuq direkt, sistemi VAR nuk mund të ndërhynte sipas rregullave në fuqi.
Një ditë pas ndeshjes, kreu i gjyqtarëve italianë Gianluca Rocchi e cilësoi vendimin si “qartësisht të gabuar”. Sipas burimeve pranë Associazione Italiana Arbitri (AIA), La Penna pritet të pezullohet për rreth një muaj, si masë disiplinore dhe për ta larguar nga presioni i madh publik.
Situata u përshkallëzua edhe më tej kur, sipas raportimeve të Corriere dello Sport, gjyqtari paraqiti kallëzim penal për kërcënime të shumta në internet, disa prej të cilave i drejtoheshin bashkëshortes dhe dy vajzave të tij të mitura. Mesazhet përmbanin kërcënime të rënda si: “Do të të qëlloj”, “Do të të vras” dhe “E dimë ku jeton”.
Policia e ka këshilluar La Pennan dhe familjen e tij të qëndrojnë në shtëpi për arsye sigurie. Hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Romës nën drejtimin e zëvendësprokurorit Sergio Colaiocco.
Rasti ka hapur debat të ri në Itali mbi presionin dhe sigurinë e gjyqtarëve në futbollin profesionist. /Telegrafi/