Gjyqtari Federico La Penna ka bërë kallëzim në polici dhe në prokurori pasi ka marrë disa kërcënime me vdekje pas Derby d’Italia mes Interit dhe Juventusit në Serie A fundjavën e kaluar.
La Penna ishte gjyqtari kryesor në derbin e zjarrtë të zhvilluar në ‘San Siro’ të shtunën në mbrëmje.
Ndeshja përfundoi 3-2 në favor të vendasve, por bardhezinjtë mbetën të revoltuar pasi Pierre Kalulu u përjashtua gabimisht në minutën e 42-të.
Mbrojtësi i Juventusit u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 32-të për një faull ndaj Nicolo Barella, një vendim që disa e konsideruan të ashpër që në fillim, dhe më pas u përjashtua 10 minuta më vonë për një faull të pretenduar ndaj Alessandro Bastoni.
Pamjet e përsëritura konfirmuan se mbrojtësi i Interit kishte simuluar në përpjekje për të nxjerrë kundërshtarin me karton të kuq.
Duke qenë se bëhej fjalë për karton të dytë të verdhë dhe jo për karton të kuq direkt, VAR-i nuk kishte të drejtë të rishikonte episodin. Për arsye të ngjashme, autoritetet sportive nuk do të mund të ndërmarrin masa disiplinore me efekt prapaveprues.
Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, La Penna është detyruar të drejtohet në polici dhe në prokurori pasi ka marrë disa kërcënime me vdekje online në ditët pas Derby d’Italia.
Thuhet se ai ka marrë kërcënime personale, si dhe kërcënime ndaj familjes së tij.
Një hetim është hapur menjëherë dhe rezultatet e tij priten.
La Penna nuk pritet të përfshihet në ndeshjet e Serie A këtë fundjavë, por sipas raportimit të së martës, ai mund të rikthehet në raundin pasues të ndeshjeve, qoftë si gjyqtar i katërt apo në rolin e VAR-it./Telegrafi/