Gjykata Themelore në Gjilan i ka ndryshuar masën e sigurisë Arianit Sllamnikut, duke e zëvendësuar paraburgimin me arrest shtëpiak, për dyshimet se ka kryer veprat penale “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “testim i barërave”.
Ndryshimi i masës është bërë pas kërkesës së Prokuroria Themelore në Gjilan për zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të lehtë sigurie.
“Me kërkesë të Prokurorisë është bërë zëvendësimi i masës, nga paraburgim në arrest shtëpiak”, ka deklaruar zëdhënësi i Gjykatës së Gjilanit, Sabit Shkodra.
Sipas njoftimit të mëhershëm të Gjykatës, Sllamniku dyshohet se nga një periudhë e papërcaktuar kohore deri më 20 janar 2026, në Gjilan, në lokalin e regjistruar si “Consulence”, pa kualifikim profesional, licencë apo autorizime ligjore, ka kryer trajtime dhe këshillime mjekësore, duke pretenduar shërimin e autizmit.
Ai dyshohet se ka përshkruar dhe rekomanduar terapi të ndryshme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara shkencërisht, ndonëse nuk posedonte njohuri dhe kualifikim përkatës në fushën mjekësore.
Sipas komunikatës, përmes takimeve të drejtpërdrejta dhe komunikimit elektronik, kryesisht me prindër të fëmijëve të prekur nga spektri i autizmit, ai ka rekomanduar përdorimin e terapive të patestuara, duke i paraqitur si metoda për largimin e metaleve nga trupi dhe për “shërimin” e autizmit.
Gjykata ka theksuar se Sllamniku dyshohet se ka qenë i vetëdijshëm që terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara tek njerëzit dhe se nuk kishte njohuri as për efektet e mundshme anësore. Në këmbim të këtyre shërbimeve, ai dyshohet se ka pranuar shuma të ndryshme parash.
Policia e Kosovës e ka arrestuar Sllamnikun më 20 janar 2026 në Gjilan, ndërsa Prokuroria kishte konfirmuar se kishte autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin.
Sipas raportimeve mediatike, ai dyshohet se disa personave u ka shitur ilaçe për kafshë me pretendimin se do të ndihmonin në trajtimin e autizmit.
Më 19 janar 2026 ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, duke njoftuar se ka informuar institucionet kompetente dhe se është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e rastit.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe shërbimeve të ofruara nga profesionistë të licencuar shëndetësorë, duke theksuar se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional.
Në një video-mesazh të publikuar, Sllamniku ka mohuar se ka mashtruar ndokënd dhe ka deklaruar se aktiviteti i tij do të vazhdojë.
“Arianit Sllamniku askënd nuk e ka mashtru… Unë askënd nuk e kam detyru me ardhë te unë… Puna jonë vazhdon, angazhimi im nuk ka me u ndalë… Brenda katër viteve nuk do ta lë asnjë fëmijë shqiptar autik”, është shprehur ai.
Ndërkohë, Policia e Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë shërbime ose konsultime nga personi në fjalë dhe që dyshojnë se mund të jenë dëmtuar materialisht, të paraqiten në Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim.