Me rreth 86 mijë lëndë aktive, aktualisht po operon Gjykata Themelore në Prishtinë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre janë lëndë të vjetra, kryesisht në konteste civile.
Edhe pse numri i gjyqtarëve në këtë gjykatë tashmë ka arritur një nivel të kënaqshëm, akumulimi i lëndëve mbetet problematik për shkak të disa faktorëve. Një ndër ta është ndarja e kompetencave, përkatësisht paqartësitë se cilat lëndë duhet të trajtohen në Divizionin Civil dhe cilat në Departamentin për Çështje Administrative.
Sipas kryetarit të ri të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, kjo çështje pritet të marrë zgjidhje, me funksionalizimin e një gjykate tjetër.
“Çështja e numrit të lëndëve të vjetra ka disa faktor që kanë implikuar respektivisht kanë krijuar këto lëndë, sepse gjykata themelore në Prishtinë territorialisht ka numrin më të madh të lëndëve, por në të njëjtën kohë ka edhe departamente të specializuara e që pastaj e rritë numrin e lëndëve karshi gjykatave tjera. Megjithatë, në bazë të këtyre strategjive ne po mundohemi të kemi një skenim të gjendjes aktuale dhe të bëjmë një listë konkrete të lëndëve të vjetra dhe të përcaktojmë si menaxhment i ri afate konkrete mbi të cilat këto lëndë duhet të përfundohen”, tha Arrni.
Ai thotë se përmes Gjykatës Administrative, synohet që një numër i madh i lëndëve të marrë epilog, veçanërisht ato të kontesteve të punës, të cilat deri më tani janë trajtuar në kuadër të Divizionit Civil, ndërsa tani e tutje do të kalojnë në Gjykatën Administrative.
“Një numër i madh i lëndëve që kanë ardhur, tani e tutje do të ngriten në Departamentin për Çështje Administrative që është tani, por që do të ketë rol si gjykatë administrative dhe po vlerësojmë që në momentin kur ne e kemi një numër më pak të lëndëve që do të pranojmë, veçanërisht në divizionin civil besoj që na hapet një rrugë që të trajtojmë lëndët e vjetra. Shumica e këtyre lëndëve kanë pasur prioritet ligjor, andaj edhe gjyqtarët që punojnë në lëmi civile kanë pasur obligim ligjor që fillimisht t’i trajtojnë këto lëndë e që si rrjedhojë ka pas pastaj grumbullim të lëndëve të vjetra. Ne jemi shumë optimist që na hapet rrugë që të zgjidhim lëndët e vjetra sepse në të njëjtën kohë do të pranojmë më pak lëndë dhe po ashtu të zgjidhim shumë më shumë lëndë”, shtoi Arrni.
Brenda vitit Gjykata Themelore ka pranuar deri në 20 mijë lëndë civile por me funksionalizimin e plotë të Gjykatës Administrative, themelorja nuk do të pranojë padi të reja, në këtë mënyrë do të krijojë hapësirë për trajtimin dhe përfundimin e lëndëve të vjetra./RTK