GJKKO ka rrëzuar sërish kërkesën e presidentit të PL-së, Ilir Meta për zbutje të masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin me burg ndaj tij. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani duke folur për mediat tha se klienti i tij nuk mund të mbahet në paraburgim.
Ai theksoi se çështja e Metës po zvarritet nga prokuroria ose gjykata. Cakrani shtoi se Meta nuk mund të lërë dot garanci pasurore për të dalë nga qelia sepse sipas tij ai nuk disponon pasuri.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit 2024. Meta dhe Monika Kryemadhi dyshohen se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private.
Ata akuzohen gjithashtu për veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ./euronews/