Kryetari i Gjilani, Alban Hyseni, ka njoftuar se po vazhdon realizimi i projektit FLOWS, një investim prej rreth 15 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit të qytetit, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët.
Në postimin e tij në Facebook, Hyseni ka theksuar: “Në Liqenin e Përlepnicës është duke u ndërtuar edhe rezervuari i ri me kapacitet 350 m³, i cili do të shërbejë si burim shtesë dhe rezervë në raste emergjente. Punimet po zhvillohen edhe në zona të ndryshme të qytetit, ku janë duke u realizuar ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit. Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për qytetarët”.
Projekti FLOWS pritet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e rrjetit të ujësjellësit dhe të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm me ujë për Gjilanin, duke u kthyer në një rezervë të besueshme edhe për situata emergjente. /Telegrafi/