Manchester United ka dërguar një skaut në “San Siro” për të ndjekur nga afër përballjen mes Inter dhe Juventus, e përfunduar me fitoren 3-2 të zikaltërve, raportojnë mediat italiane.
Sipas Tuttosport, vëzhgimi lidhet me planet e mundshme të afatit kalimtar veror.
Fokusi kryesor i “Djajve të Kuq” ishte te mbrojtësi i majtë i Interit, Federico Dimarco, si dhe te mbrojtësi i gjithanshëm i Juventusit, Pierre Kalulu.
Kalulu ka qenë titullar i rregullt këtë sezon, duke luajtur në disa role në repartin defensivë si mbrojtës i djathtë dhe qendërmbrojtës. Ai ka kontratë me Juventusin deri në qershor 2029, çka e vendos klubin torinez në pozitë të favorshme negociuese në rast ofertash.
Ndërkohë, kontrata aktuale e Dimarcos me Interin ka më pak se 18 muaj të mbetur. Mbrojtësi italian ishte pranë një rinovimi vitin e kaluar dhe tani pritet t’i ofrohet një zgjatje deri në vitin 2030, për të shmangur çdo interesim konkret nga klubet e mëdha evropiane.
Të dy futbollistët po kalojnë një sezon të qëndrueshëm 2025-26. Dimarco ka regjistruar 6 gola dhe 12 asistime në 32 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa Kalulu ka kontribuar me 2 gola dhe 4 asistime në 35 ndeshje me fanellën bardhezi.
Vëzhgimi i tyre nga Manchester United sinjalizon se klubi anglez po analizon përforcime në repartin defensiv, teksa pritet një verë aktive në “Old Trafford”. /Telegrafi/