Modelja e njohur braziliane, Gisele Bundchen, tërhoqi vëmendjen gjatë një paraqitjeje të rrallë në tapetin e kuq në Miami, ku u shfaq me unazën e saj të martesës nga bashkëshorti i ri, Joaquim Valente.
45-vjeçarja ishte e ftuar nderi në lansimin e linjës Fructis Diamond Sleek të Garnier, markë për të cilën ajo është ambasadore.
Bundchen u shfaq elegante me një fustan argjendi të zbukuruar me gurë të çmuar dhe taka të njëjta, ndërsa flokët biondë i kishte mbledhur në një bisht të lartë, shkruan DailyMail.
Ajo kishte zgjedhur aksesorë minimalë, duke bërë që në qendër të vëmendjes të ishte unaza e saj e martesës prej ari të verdhë.
Bundchen dhe Valente u martuan në mënyrë private në fillim të dhjetorit 2025 në rezidencën e tyre në Surfside, Florida.
Çifti ishte njohur në vitin 2021, kur modelja dhe fëmijët e saj nisën të stërviteshin në akademinë e jiu-jitsu të Valentes.
Ata konfirmuan lidhjen në vitin 2024 dhe sot janë prindër të një fëmije njëvjeçar. Martesa e Bündchen me Valenten erdhi tre vjet pas divorcit të saj nga ish-bashkëshorti Tom Brady, me të cilin ka dy fëmijë. /Telegrafi/