Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur sot Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq në një takim ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë.
Në fokus të bisedimeve ishte thellimi i bashkëpunimit për ekstradimin, si një komponent i rëndësishëm për një sistem juridik më efektiv dhe funksional. Gjithashtu, u trajtua edhe çështja e krimeve të luftës, e konsideruar si një temë me ndjeshmëri të lartë dhe rëndësi të veçantë për të dy vendet.
“Krimet mizore të luftës mbeten një plagë e hapur e shoqërisë që kërkon përkushtim maksimal dhe qasje serioze, të qartë e konkrete institucionale,” tha ministrja Gërvalla.
Ajo shtoi se për trajtimin e këtyre çështjeve janë të nevojshme institucione të forta dhe vendimmarrje të qëndrueshme, të bazuara në sundimin e ligjit.
Ministrja gjithashtu theksoi rëndësinë e reformës së thellë në drejtësi, duke vënë në dukje se pa të nuk mund të ketë as një sundim ligjor të besueshëm dhe as një shtet funksional.
Në fund, Gërvalla vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, duke e cilësuar Kroacinë si një shtet mik dhe partner të rëndësishëm të Kosovës. /Telegrafi/