Juventusi ka nisur bisedimet paraprake për transferimin e mesfushorit portugez Bernardo Silva si lojtar i lirë në fund të sezonit, por klubi torinez po përballet me konkurrencë të fortë nga disa ekipe të tjera evropiane dhe amerikane.
Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Juventusit e kanë identifikuar 31-vjeçarin si një nga objektivat kryesore për sezonin e ardhshëm, veçanërisht për faktin se kontrata e tij me Manchester City skadon në qershor dhe ai pritet të largohet si lojtar i lirë.
Raporti thekson se reprezentuesi i Portugalisë ka vendosur të mos rinovojë kontratën me klubin anglez, duke u bërë i disponueshëm për oferta nga klube të tjera në muajt e ardhshëm.
Megjithatë, për ta realizuar transferimin, Juventusi do të duhet të sigurojë të ardhura nga pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve, pasi kërkesat financiare të Silvës për pagë llogariten mes 7 dhe 8 milionë euro në sezon.
“Bianconerët” janë të vetëdijshëm se gara për shërbimet e Silvës nuk do të jetë e lehtë.
Interes për të kanë shfaqur edhe Galatasaray, Inter Miami dhe Benfica.
Përveç Silvës, Juventusi po monitoron edhe disa lojtarë të tjerë që mund të transferohen pa kosto kartoni.
Në mesfushë, një tjetër objektiv është gjermani Leon Goretzka nga Bayern Munich.
Ndërkohë në repartin e mbrojtjes janë në radar edhe turku Zeki Çelik nga Roma dhe argjentinasi Marcos Senesi që aktivizohet me Bournemouth.
Në muajt e ardhshëm pritet të bëhet më e qartë nëse Juventusi do të arrijë ta bindë Bernardon të transferohet në Torino, apo nëse mesfushori portugez do të zgjedhë një nga ofertat e tjera që pritet të vijnë. /Telegrafi/