Legjenda e Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge, ka ngritur shqetësime serioze për drejtimin që po merr futbolli modern, duke kritikuar ashpër rolin dhe përfitimet e agjentëve të lojtarëve.
Ish-drejtori ekzekutiv i klubit bavarez e cilëson situatën aktuale si të rrezikshme dhe kërkon reforma urgjente në nivel global.
Rummenigge është figura më e fundit e rëndësishme nga Bayern Munich që del publikisht kundër ndikimit në rritje të ndërmjetësve, pas deklaratave të mëparshme të Matthias Sammer dhe presidentit të nderit Uli Hoenes. Sipas tij, pagesat që po u bëhen agjentëve si pjesë e transferimeve kanë kaluar çdo kufi moral.
“Ne kemi nevojë për reforma, sepse me këtë drejtim që po marrin gjërat, sidomos financiarisht, nuk mund të vazhdojmë më kështu”.
“Po bëhemi gjithnjë e më të varur nga agjentët, ndikimi i të cilëve tek lojtarët është bërë skandaloz. Sot kemi pagesa për agjentët që janë imorale”, deklaroi Rummenige.
“Garë e pamëshirshme” për yjet
Sipas ish-sulmuesit të Gjermanisë Perëndimore, klubet janë futur në një cikël të rrezikshëm ku janë të gatshme të bëjnë gjithçka për të siguruar lojtarët më të kërkuar, pa menduar për pasojat afatgjata financiare.
Ai e përshkroi tregun e transferimeve si një “garë të pamëshirshme”, ku përgjegjësia financiare shpesh lihet në plan të dytë.
“Klubet janë të gatshme të bëjnë gjithçka për të marrë lojtarët që duan, ose ata me të cilët besojnë se mund të arrijnë sukses”, theksoi ai, duke shtuar se organet drejtuese të futbollit duhet të ndërhyjnë për të gjetur zgjidhje.
Pagat po largojnë tifozët
Rummenigge nuk u ndal vetëm te agjentët. Ai ngriti shqetësime edhe për pagat astronomike të futbollistëve, duke paralajmëruar se hendeku mes realitetit ekonomik të tifozëve dhe shifrave që qarkullojnë në futboll po bëhet gjithnjë e më i madh.
“Po hyjmë në sfera që askush jashtë futbollit nuk i kupton më. Në një moment, nuk do të jemi më në gjendje t’ua shpjegojmë njerëzve këto shifra”, deklaroi gjermani i famshëm.
Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë ritëm, sporti rrezikon të humbasë lidhjen me bazën e tij – tifozët.
“Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e shtrëngojmë shumë atë vidë në futboll”, përfundoi Rummenigge, duke lënë të kuptohet se koha për ndryshim është tani. /Telegrafi/