Nga analizat e para dhe ndjekja e beta HCG, te kontrolli me ultratinguj dhe testet e skriningut – cilat janë shenjat normale dhe kur nevojitet mbikëqyrje e shtuar në javët e para të shtatzënisë
Në javët e para të shtatzënisë, përveç gëzimit për një fazë të re të jetës, tek shumica e grave shfaqen edhe dilema, pyetje dhe frikëra të shumta. Çfarë është normale dhe çfarë është shenjë për shqetësim? Cilat analiza janë të domosdoshme dhe kur nevojitet vetëm pak durim?
Edhe pse tremujori i parë është periudhë me ndryshime intensive, me informacionin e duhur shumë paqartësi mund të zgjidhen në kohë.
Cilat analiza janë të rëndësishme në fillim të shtatzënisë?
Një nga dilemat e para të grave shtatzëna është se cilat kontrolle dhe analiza duhet të bëhen sapo të konfirmohet shtatzënia.
– Një nga gjërat bazë që duhet të kontrollojë gruaja shtatzënë në javët e para është funksioni i gjëndrës tiroide. Përveç kësaj, të rëndësishme janë analiza e gjakut (parametrat që mund të tregojnë anemi) dhe niveli i sheqerit në gjak në mëngjes. Është e dëshirueshme që gruaja të ketë rezultate të rregullta të analizave mikrobiologjike, ndërsa i detyrueshëm është edhe kontrolli kolposkopik me testi PAPA, nëse nuk është kryer gjatë vitit të fundit.
A duhet ndjekur beta HCG?
Testi pozitiv nga gjaku shpesh është shenja e parë konkrete e shtatzënisë, por pikërisht vlerat e beta HCG mund të jenë burim shqetësimi shtesë.
– Përcaktimi i hormonit hCG në gjak është për shumicën e grave “prova” e parë e shtatzënisë, sepse del pozitiv shumë më herët sesa mund të konfirmohet shtatzënia me ultratinguj. Ndjekjen e dinamikës së beta HCG e rekomandojmë në rastet kur rrjedha e shtatzënisë devijon nga e zakonshmja, për shembull, kur shfaqen simptoma si dhimbje dhe gjakderdhje, ose kur gruaja ndihet mirë, por kontrolli me ultratinguj tregon devijime.
Siç shton ajo, ndjekja e dinamikës nënkupton përsëritjen e analizës pas 48 orësh.
– Në një shtatzëni normale, vlerat përafërsisht dyfishohen çdo 48 orë. Shqetësuese konsiderohet rritja e pamjaftueshme e vlerave, mbajtja në të njëjtin nivel ose rënia e tyre. Është shumë e rëndësishme që analiza të përsëritet në të njëjtin laborator, në mënyrë që rezultatet të jenë të krahasueshme, transmeton Telegrafi.
Çfarë duhet të tregojë ultratingulli në shtatzëninë e hershme?
Një nga pyetjet e shpeshta është çfarë shihet në kontrollin e parë me ultratinguj.
– Kontrolli bazë me ultratinguj në shtatzëninë e hershme duhet të përcaktojë: formën dhe pozicionin e mitrës, gjendjen e vezoreve, praninë e shtatzënisë në mitër, numrin e embrioneve, madhësinë e tyre, konfirmimin e rrahjeve të zemrës së embrionit dhe mungesën e hematomës.
Vend të veçantë në ndjekjen e shtatzënisë ka edhe kontrolli i parë më i detajuar me ultratinguj.
– Ky kontroll kryhet në kohën e testit të dyfishtë dhe ka rëndësi të veçantë në monitorimin e shtatzënisë.
Testet e skriningut dhe dilema e zgjedhjes
Shumë gra shtatzëna ndihen të hutuar nga numri i madh i testeve për zbulimin e anomalive kromozomale.
– Ekzistojnë dy grupe kryesore testesh skriningu për anomalitë kromozomale. Grupi i parë përfshin teste statistikore si testi i dyfishtë, i trefishtë dhe i katërfishtë, ndërsa sot më i përdoruri është testi i dyfishtë, me besueshmëri rreth 85%.
Grupi i dytë përfshin teste më moderne.
– Bëhet fjalë për testet jo-invazive prenatale (NIPT), me të cilat analizohet ADN-ja e fetusit nga gjaku i nënës, me besueshmëri rreth 99%. Testi i dyfishtë rekomandohet për të gjitha shtatzënat, ndërsa NIPT për ato që kanë rezultat normal të testit të dyfishtë, por dëshirojnë një shkallë shtesë sigurie.
Kur gjetjet e ultratingullit nuk përputhen me mungesën e menstruacioneve
Një dilemë e shpeshtë në tremujorin e parë lind kur mosha e shtatzënisë nuk përputhet me pritshmëritë.
– Një nga situatat më të zakonshme është mospërputhja midis periudhës së mungesës së menstruacioneve dhe moshës reale të shtatzënisë, veçanërisht tek gratë me cikël të parregullt.
Në këto raste, është e rëndësishme të ruhet qetësia.
– Mund të ndodhë që në kohën e pritur embrioni të mos shihet ende ose rrahjet e zemrës të mos jenë shfaqur. Është e rëndësishme të jemi të durueshëm dhe t’i japim kohë shtatzënisë të zhvillohet me ritmin e saj, nëse gruaja nuk ka shqetësime, thekson ajo.
Megjithatë, ekzistojnë edhe përfundime të pafavorshme si shtatzënia pa embrion, ndërprerja e heshtur e shtatzënisë apo sëmundjet trofoblastike që mund të ndikojnë në pamjen e hershme të saj.
Kur nevojitet mbikëqyrje e shtuar?
Edhe pse shumë ndryshime në tremujorin e parë janë fiziologjike, ka situata që kërkojnë vëmendje të veçantë.
– Mbikëqyrje e shtuar dhe terapi shtesë kërkojnë dhimbjet dhe gjakderdhja në shtatzëninë e hershme, të vjellat e tepërta ose sëmundjet kronike për të cilat gruaja është në dijeni dhe që mund të ndikojnë në rrjedhën e shtatzënisë, si diabeti, tensioni i lartë, funksioni i ulët i tiroides, skleroza multiple, lupusi dhe të tjera.
Tremujori i parë është periudhë pasigurie, por me kontrolle të rregullta, analiza në kohë dhe komunikim të mirë me mjekun, shumica e dilemave marrin përgjigje të qarta dhe qetësuese. /Telegrafi/