Franca dhe Brazili kanë shprehur shqetësime serioze për cilësinë e fushës në ‘MetLife Stadium’ të East Rutherford, në Shtetet e Bashkuara, gjatë fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026.
Lojtarë dhe trajnerë nga të dyja përfaqësueset kanë kritikuar sipërfaqen e lojës, duke e cilësuar atë si tepër të fortë, të thatë dhe jo të njëtrajtshme në disa zona, çka sipas tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në qarkullimin e topit dhe cilësinë e lojës.
Mesfushori francez Adrien Rabiot deklaroi pas ndeshjes ndaj Senegalit se fusha “dukej si bar artificial” dhe ishte “shumë e fortë”, duke shtuar se topi kishte lëvizje të paparashikueshme.
Edhe mbrojtësi William Saliba ndau të njëjtin qëndrim, duke kritikuar kushtet e fushës.
Ankesa të ngjashme kishte bërë më herët edhe ylli i Brazilit, Vinicius Junior.
Sulmuesi brazilian theksoi se temperaturat e larta dhe kushtet e thata e dëmtojnë shpejt barin natyral, duke e bërë më të vështirë kontrollin e lojës dhe zhvillimin e aksioneve.
Nga ana tjetër, përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, u tregua më diplomatik në komentet e tij, duke pranuar se kushtet nuk janë ideale, por duke nënvizuar nevojën për t’u përshtatur.
“Duhet të mësohemi me këto kushte. Mund të ketë pak beton nën sipërfaqen e barit. Bari këtu është shumë i shkurtër. Megjithatë, ne do të përshtatemi. Është e qartë se kjo ndryshon disa aspekte të lojës, por ne i marrim parasysh këto detaje teknike”, deklaroi Deschamps.
Cilësia e fushave ka qenë një nga temat më të diskutuara në javët e para të Botërorit 2026, ndërsa organizatorët pritet të monitorojnë nga afër gjendjen e terreneve për pjesën e mbetur të turneut. /Telegrafi/
