Organizatorët e futbollit evropian nuk kanë hequr dorë ende nga ideja që edicioni i radhës i Finalissima të zhvillohet në Katar, edhe pse situata e sigurisë në Lindjen e Mesme ka ngritur shumë pikëpyetje.
Sipas planit aktual, përballja mes kampionit të Evropës, Spanjës dhe kampionit të Amerikës së Jugut Argjentinës është paraparë të luhet më 27 mars në stadiumin Lusail Stadium në Doha.
Në këtë duel të shumëpritur pritet të zbresin në fushë yje si Lionel Messi dhe talenti i ri spanjoll Lamine Yamal.
Po në këtë stadium u zhvillua edhe finalja e Kupës së Botës 2022, ku Argjentina triumfoi ndaj Francës pas penalltive, pas barazimit spektakolar 3-3.
Megjithatë, për shkak të tensioneve dhe sulmeve me raketa në rajon, ekzistojnë dyshime nëse ndeshja mund të zhvillohet në mënyrë të sigurt në Katar.
Pavarësisht kësaj, UEFA, që organizon ndeshjen bashkë me CONMEBOL, nuk ka marrë ende vendim për ndryshimin e vendit të zhvillimit.
“Vendndodhjet alternative nuk po merren në konsideratë për momentin. Bisedimet janë duke vazhduar me organizatorët lokalë, të cilët kanë bërë përpjekje të mëdha për organizimin e kësaj ndeshjeje”, thuhet në reagimin e UEFA-s.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të javës së ardhshme. Katari ka lidhje të forta me UEFA-n, ndërsa presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, është gjithashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Në rast se situata e sigurisë vlerësohet si e rrezikshme, ekziston mundësia që ndeshja të zhvendoset në Spanjë ose në një shtet tjetër evropian, duke qenë se shumica e lojtarëve të të dyja përfaqësueseve aktivizohen në klubet e Evropës.
Edicioni i parë i Finalissimës moderne u zhvillua në vitin 2022 në stadiumin Wembley Stadium, ku Argjentina e udhëhequr nga Messi e mposhti Italinë me rezultat të pastër 3-0. /Telegrafi/