Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se kryeministri Mickoski nuk ka kapacitet, dëshirë e as njohuri se si udhëhiqet shteti.
Filipçe vuri në dukje se në vend të masave dhe ndihmës për qytetarët, opinioni po dëgjon fjalorin fyes të Mickoskit dhe defokusim nga problemet reale në shtet.
”Çfarë bën kryeministri kur ju gazetarët pyetni për masat tona? Na ofendon me fjalë degraduese. Opozita, LSDM dhe unë personalisht u quajtëm ‘llumi i shoqërisë’. Është turp të përdoret një fjalor i tillë. Njeriu nuk ka kapacitet, as dëshirë, as njohuri se si udhëhiqet shteti. Di vetëm të blejë dhe të shesë energji elektrike, dhe këtë po e bën vazhdimisht,” tha Filipçe në TVM1.
Filipçe theksoi se derisa qytetarët mezi po mbijetojnë, kryeministri Mickoski ende nuk po ndërmerr masa konkrete.
”Deri para fillimit të krizës, as dy paga minimale nuk mjaftonin për shportën e konsumit, ndërsa tani as tri paga minimale nuk mjaftojnë. Njerëzit kanë problem real, qeveria nuk bën asgjë. Kur do të ndërmarrë veprime qeveria? Çfarë duhet të ndodhë? Ka një rritje prej mbi 40% të çmimeve të karburanteve, 10% shtrenjtim të produkteve bazë ushqimore si buka dhe vajit, ndërsa pemët dhe perimet janë shtrenjtuar deri në 200%. Ka rritje të çmimit të miellit dhe sheqerit, gjithçka në markete është shtrenjtuar. Çfarë duhet të ndodhë më shumë?” potencoi Filipçe.
Gjithashtu, ai shtoi se kriza pritet të thellohet edhe më shumë, ndërsa barra do të bjerë mbi kurrizin e qytetarëve.