Albumi i dytë i grupit Queen u frymëzua nga arratisja dramatike e familjes së tij nga Zanzibari – dhe shfaqi një stil që çoi te albumi Bohemian Rhapsody.
Nga: Ed Power / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ishte albumi depërtues i grupit Queen. Pas zhgënjimit me albumit e tyre të parë, që nuk arriti të renditej në top – lista, Queen II (1974) hyri në Top-10-she falë suksesit të këngës Seven Seas of Rhye [Shtatë detet e Rajit]. Kjo çoi në paraqitjen e parë të grupit në programin “Top of the Pops” (ku ata zëvendësuan në moment të fundit David Bowien, që papritmas mungoi), dhe pjesa tjetër është histori e muzikës pop.
Por, frymëzimi për Seven Seas of Rhye, me përshkrimin e një mbretërie të bukur magjike që copëtohet dhunshëm në një luftë shkatërrimtare, ka mbetur përgjithmonë një mister. Freddie Mercury, ekstravagant dhe i rrjedhshëm në artikulim – i cili e bëri këngën – ishte çuditërisht i rezervuar për burimin e krijimtarisë së tij në atë periudhë të karrierës. “Tekstet dhe këngët e mia janë kryesisht fantazi, të cilat unë i shpik”, është gjithçka që ka thënë ndonjëherë. “Ato nuk janë tokësore; janë disi ëndërrimtare”.
Lexo po ashtu:
– Trauma e Luftës së Parë Botërore që frymëzoi “Kryezotin e unazave”
– Pse populistët magjepsen me letërsinë fantastike?
– Rapsodia “mongoliane”
– Rapsodi bohemiane
Megjithatë, adhuruesit e përkushtuar të Queen-it kanë bashkuar copëzat e enigmës. Konsensusi – siç paraqitet në dhjetëra diskutime në Reddit dhe në video në YouTube – është se Raji ishte një mbretëri magjike të cilën Mercury dhe motra e tij, Kashmira Bulsara, e krijuan së bashku si fëmijë.
Kopertina e albumit të dytë të grupit Queen, i publikuar në vitin 1974, tani me miks dhe postproduksion të ri nga Brian May dhe Roger Taylor
Ekziston gjithashtu një marrëveshje e përgjithshme se origjina e saj qëndron në fëmijërinë e Mercuryt në ishullin Zanzibar, nga ku familja u largua pasi shpërtheu një revolucion kur këngëtari ishte në fund të adoleshencës. Ai u kthye në ishullin e lindjes vetëm një herë, në vitin 1980, dhe thuhet se u prek thellë teksa qëndronte në breg dhe vështronte sërish detin e kaltër të dhimbshëm.
Zanzibari atëherë ishte më shumë se një vend fizik për Mercuryn – ishte simbol i një pafajësie të humbur, që u rrëmbye kur shpërtheu konflikti dhe familja u zhvendos në periferinë e Midëlseksit (ishte ky largimi i dytë, pasi ai kishte kaluar më parë një kohë në Indi gjatë studimeve në një shkollë me konvikt pranë Mumbait).
Ishulli – siç do të thoshte transmetuesi dhe njohësi i muzikës Phil Swern – ishte vendstrehim për mendjen e këngëtarit: “Ai gjithmonë kishte atë vend ku të kthehej, kur realiteti bëhej shumë i vështirë”.
Ka jehona të asaj që përfaqësonte Toka e Mesme për autorin e Kryezotit të unazave [The Lord of the Rings], J.R.R. Tolkien: një tokë imagjinare që i lejonte atij të shpëtonte përkohësisht nga tmerret e Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës ai shkroi fragmentet e para të asaj që do të bëhej sfondi madhështor i epopesë së tij fantastike.
Janë të habitshme paralelet midis përvojës së Mercuryt, ku një rini e pafajshme u ndërpre papritur nga konflikti, dhe ngjarjeve të përshkruara në Seven Seas of Rhye. Mes improvizimeve magjike të Brian Mayt, Mercury këndon nga perspektiva e një figure të ngjashme me Sauronin – një agjent kaosi dhe shkatërrimi që zbret nga lart për të sjellë rrënim. Kini frikë nga unë, krijesa të neveritshme e dembele, unë zbres mbi tokën tuaj nga qielli.
Mercury si fëmijë në Zanzibar, më 1958 Archivio GBB / Alamy Stock Photo
Në një shenjë të hershme të virtuozitetit të tij si autor këngësh, Mercury e ndërthur këtë imazh kërcënues me një premtim të ndjeshëm ndaj Kashmiran, motrën e tij më të vogël me gjashtë vjet diferencë, me të cilën do të mbetej i afërt gjatë gjithë ngritjeve dhe rënieve të famës. Motër, unë jetoj dhe gënjej për ty, deklaron ai, përpara se të rikthehet menjëherë në një ton më ogurzi në vargun pasues – mjerimi do të ndodhë ose përndryshe do të vdes.
Seven Seas of Rhye është kënga përmbyllëse e albumit Queen II, që konsiderohet kryevepër e hershme nga adhuruesit dhe së fundmi ka një ribotim luksoz, me miksim të ri të mbikëqyrur nga May dhe bateristi Roger Taylor. Ajo gjithashtu mbyll në mënyrë epike ciklin e këngëve të Mercuryt për Rajin në anën e dytë të albumit, e cila hapet me Ogre Battle [Beteja e ogrëve], ku Mercury imiton britmat e tmerrshme të një përbindëshi të ngjashëm me troll që, sipas tij, mund të përpijë oqeanin.
Ana e dytë, e njohur zyrtarisht si “Ana e zezë”, përbëhet nga këngë të shkruara vetëm nga Mercury (ndërsa “Ana e Bardhë” përfshin materiale nga May dhe Taylor).
Udhëtimi i këngëtarit në krijimin e miteve vazhdon në këngën pasuese, The Fairy Feller’s Master-Stroke [Goditja mjeshtërore e druvarit të zanave!], e cila i referohet elfëve të ngjashëm me ata të Tolkienit (titulli vjen nga piktura me të njëjtin emër e Richard Daddit). Më pas vjen Nevermore, një baladë klasike në piano nga Mercury, ku ai sërish krijon tablo të një toke të bukur të shkatërruar nga forca të mbinatyrshme (Detet janë tharë / Dhe shiu ka pushuar së rëni).
Nëse albumi ka një ekuivalent të betejës së madhe në fund të Kryezotit të unazave, ai është The March of the Black Queen [Marshi i mbretëreshës së errët], që zgjat gjashtë minuta e gjysmë. Sot e vlerësuar si version pararendës i formatit shumëpjesësh të rok-operës që ai do ta përsoste me Bohemian Rhapsody [Rapsodia bohemiane] në vitin 1975, kjo këngë është gjithashtu demonstrim i aftësisë së Mercuryt për të krijuar botë fantastike nga asgjëja. Ajo flet për një sundimtare të gjithëpushtetshme që përparon duke shkatërruar gjithçka përpara saj: Ja ku vjen mbretëresha e errësirës duke rrëmihur në pirg / Fi fo, mbretëresha e errësirës marshon në rresht për një.
Këngët e Mercuryt në “Queen II” krijojnë një univers fantastik të ngjashëm me atë të “Kryezotit të unazave” të J.R.R. TolkienitPamje nga filmi “The Lord of the Rings: The Two Towers”, 2002
Në atë kohë, për shumë dëgjues ishte e qartë se Mercury po eksperimentonte me rrëfime epike. Megjithatë, ai refuzonte të hynte në detaje. “Ajo këngë më mori shumë kohë për ta përfunduar”, ishte gjithçka që thoshte. “Doja t’i jepja gjithçka, të isha egoist apo çfarëdo tjetër”.
Pavarësisht gjithë elementeve të tij të botës tjetër, Queen II u incizua në ambientet krejt tokësore në “Trident Studios” në Soho të Londrës, ku grupi Queen punoi me producentin Roy Thomas Baker (zgjedhja e tyre e parë ishte David Bowie, por ai i refuzoi). Sot ai konsiderohet si albumi “më i rëndë” i tyre; pa dyshim, ata ishin në të njëjtën frekuencë me bashkëkohës, si Led Zeppelin dhe Black Sabbath. Ishte gjithashtu momenti kur filluan seriozisht të shtynin kufijtë e tingullit të tyre – jo vetëm për sa i përket teksteve të Mercuryt, por edhe në mënyrën se si e organizonin dhe incizonin muzikën.
“E mbaj mend qartë albumin Queen II sepse ishte një periudhë kaq formuese”, tha Roger Taylor për revistën Classic Rock, duke shtuar: “Ne vërtet filluam të shtynim kufijtë e studios për sa i përket mbivendosjes së zërave dhe asaj që mund të bënim me vokale, gjë me të cilën më parë thjesht po eksperimentonim”.
Ata do ta vazhdonin me këtë zhvillim gjatë gjithë viteve ’70 të shekullit XX. Megjithatë, për Mercuryn, rrëfimit madhështor të tokës së Rajit po i vinte fundit. Ai e kishte përmendur për herë të parë një mbretëri fantastike që bie pre e korrupsionit në vitin 1973 në My Fairy King [Mbreti im i zanave] nga albumi i parë i grupit (i cili përmban gjithashtu një version të hershëm instrumental të Seven Seas of Rhye).
Queen në vitin 1973 (nga e majta në të djathtë): Roger Taylor, Freddie Mercury, Brian May dhe John DeaconFoto: Michael Putland
Mercury e çoi këtë rrëfim të madh në një përfundim të duhur, të trishtë dhe përndjekës në albumin pasues të Queen II, Sheer Heart Attack (po ashtu i publikuar në vitin 1974). Në Lily of the Valley [Zambaku i luginës], ai këndon për largimin e magjisë nga Raji, ashtu siç largohen elfët nga Toka e Mesme në fund të Kryezotit të unazave. I dërguari nga shtatë detet ka fluturuar / Për t’i thënë mbretit të Rajit se e ka humbur fronin, këndon Mercury.
Ndërsa muzika kalon në heshtje, mund të imagjinosh pothuajse tingullin e portës që përplaset – saga e Rajit ka përfunduar. Dymbëdhjetë muaj më vonë, ai shkroi Bohemian Rhapsody dhe gjithçka ndryshoi përgjithmonë si për grupin, ashtu edhe për vetë muzikën rok.
Mercury ishte një talent i jashtëzakonshëm, arritjet e të cilit përfshijnë edhe rikthimin në modë të mustaqeve – por, në fillim të viteve ’70 të shekullit XX, një zhytje në ndërtimin e botëve fantastike në stilin e Tolkienit nuk ishte aspak e pazakontë.
Në atë kohë, Led Zeppelin merrnin mandolinën për të kënduar për Kryezotin e unazave (The Battle of Evermore nga viti 1971, i referohet drejtpërdrejt kalorësve të unazës). Edhe grupi Rush iu bashkua këtij trendi me baladën akustike Rivendell në vitin 1975, e quajtur sipas vendbanimit të Elrondit në hijen e Maleve të Mjegullta. Black Sabbath, ndërkohë, kishte publikuar tashmë The Wizard [Magjistari], që gjerësisht konsiderohet i frymëzuar nga Gandalfi – një ikonë e hevi-metalit për shkak të dashurisë për runat dhe njohurive të tij të gjera për orkët dhe goblinët.
Megjithatë, ribotimi i Queen II është kujtesë se, përpara se të ishte një perëndi i rokut, Mercury ishte po aq magjepsës: një eksplorues i botëve të çuditshme dhe ekzotike, me dhuntitë e një rrëfimtari të vërtetë.
Sikur të kishte jetuar përtej moshës 45-vjeçare – aq sa ishte kur vdiq në nëntor 1991 – a do të ishte kthyer sërish te Raji? Teksa pleqëria do t’i afrohej, si shenja e parë e dimrit, është e lehtë ta imagjinosh duke u kthyer tek ajo fazë e hershme e karrierës dhe duke rishkruar në këngë fëmijërinë e tij të humbur. Tragjedia është se këtë nuk do ta dimë kurrë. /Telegrafi/