Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka reaguar lidhur me moszbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale ndaj punëtorëve teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.
Sipas reagimit të Federatës, punëtorët teknikë në këtë institucion nuk janë paguar në përputhje me vendimin e Kryeministrit të Kosovës në detyrë për pagën minimale.
Vendimi, i marrë më 31 tetor 2025 me numër 10/273, parasheh që nga data 1 janar 2026 paga minimale të mos jetë më e ulët se 425 euro, ndërsa nga korriku i vitit 2026 ajo të rritet në 500 euro.
Megjithatë, Federata bën të ditur se punëtorët teknikë në QKMF-në e Klinës kanë marrë pagë mujore në vlerë prej 350 eurosh, çka sipas saj përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit qeveritar.
Për këto shkelje, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka paralajmëruar se do të njoftojë Inspektoratin e Punës dhe, nëse vlerësohet e nevojshme, edhe Gjykatën, me qëllim të adresimit institucional të rastit. /Telegrafi/