Kërcënimi rus ndaj krahut lindor të NATO-s mund të intensifikohet pas një armëpushimi në Ukrainë, sipas kryetarit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Wolfgang Ischinger.
“Për sa kohë që Ukraina mbron Evropën, rreziku nuk është aq i madh”, tha Wolfgang Ischinger në komentet e botuara në gazetën Tagesspiegel.
“Kjo do të thotë që ushtritë e presidentit rus Vladimir Putin janë aktualisht të lidhura atje dhe ai po humbet mijëra ushtarë çdo javë”, shtoi ai.
Në momentin që do të ketë një armëpushim në Ukrainë, situata do të ndryshojë, vuri në dukje Ischinger përpara takimit të 62-të të MSC-së javën e ardhshme në kryeqytetin bavarez: “Atëherë Putini mund të vazhdojë riarmatimimin e tij në paqe dhe kërcënimi ndaj vendeve të NATO-s në krahun lindor do të intensifikohet”.
Megjithatë, eksperti gjerman theksoi se gjëja më e rëndësishme është që gjakderdhja në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur: “Nuk uroj asgjë më shumë për popullin e Ukrainës”.
“Se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është çështje fati për Gjermaninë dhe Evropën”, tha Ischinger, duke theksuar se Ukraina po mbron Evropën sot, jo vetëm territorin e saj.
Ndryshe, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të marrë pjesë në konferencën e ardhshme të sigurisë. /Telegrafi/