Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, priti homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Stamboll, për bisedime mbi sigurinë e energjisë dhe lundrimit, si dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Vizita vjen një ditë pasi Erdogan foli me presidentin rus Vladimir Putin, i cili akuzoi Kievin se po përpiqet të shënjestrojë tubacionin e gazit midis Rusisë dhe Turqisë që furnizon disa vende evropiane.
Erdogan “theksoi rëndësinë që Turqia i kushton sigurisë së lundrimit në Detin e Zi dhe natyrën thelbësore të sigurisë së furnizimit me energji”.
Të dy udhëheqësit diskutuan marrëdhëniet midis vendeve, “përpjekjet për paqe në konfliktin Rusi-Ukrainë dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare”.
Ndër tjera, Zelensky tha se ata kishin diskutuar “hapat për të zbatuar projekte të përbashkëta në zhvillimin e infrastrukturës së gazit”.
Ndryshe, Kievi ka kërkuar një armëpushim gjatë festave ortodokse të Pashkëve, që do të përfshinte ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Rusia tha se nuk kishte parë ndonjë propozim “të formuluar qartë” nga Kievi. /Telegrafi/