Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda dhe menaxheri Bajram Shala kanë konfirmuar bisedimet me emrat si Erblin Osmani, Brajan Gruda dhe Lorent Tolaj, por nuk dhanë shumë detaje.
Kosova është vetëm disa ditë larg sfidës jetike ndaj Sllovakisë për gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës.
Megjithatë, këto javët e fundit janë përmendur emrat si Erblin Osmani që debutoi te Bayern Munich, Brajan Gruda dhe Lorent Tolaj si afrime të mundshme për “Dardanët”.
Bajram Shala, menaxheri i FFK-së konfirmoi se bisedimet kanë nisur me familjen e Osmanit, i cili ka vetëm 16-vjeç dhe debutoi në Bundesliga.
“Erblin Osmani? Po, drejtori Muharrem Sahiti ka pasur kontakte direkt me familjarët e Erblin Osmanit”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Foda është pyetur për dyshen Brajan Gruda e Lorent Tolaj, për të cilët deklaroi se i njeh mirë por aktualisht nuk mund të flet.
“Brajan Gruda dhe Lorent Tolaj? Janë emra shumë të mirë dhe interesant, të cilët i njoh. Mirëpo, fokusi im është te lojtarët që i kam këtu dhe pas ndeshjes mund t’iu përgjigjem për të tjerët”.
Përndryshe, përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet këtë të enjte nga ora 21:00./Telegrafi/