Dokumentet e reja për Jeffrey Epsteinin, të publikuara nga Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregojnë se financieri kishte dëshirë të blinte ndërtesën e ish-ambasadës së Jugosllavisë në New York, e njohur si “Vila e Titos”.
Ndër dokumentet e reja, të publikuara disa ditë më parë, gjendet një email që Epstein kishte marrë me 26 fotografi të kësaj vile, si dhe një prerje nga New York Post me titullin “për 50 milionë dollarë mund të bëheni pronar i vilës së fundit nga epoka e artë e Manhatanit”.
Më 10 dhjetor 2018, Epstein mori një email nga këshilltari financiar David Mitchell, i cili e informonte se në këtë ndërtesë kishte ndodhur një zjarr dhe se ndoshta ishte momenti i duhur për të dërguar një ofertë, raporton klix..ba.
Më pas, financieri dërgoi një lidhje të New York Post në dy adresa emaili, ku përmendej zjarri, dhe ata e informuan se ndërtesa tani duhet të ishte dukshëm më e lirë.
Megjithatë, Epstein në fund nuk e bleu vilën. Ajo u shit katër vjet më vonë për 50 milionë dollarë, ndërsa Serbisë i takuan 40 për qind e shumës, në bazë të Aneksit B të Marrëveshjes për suksesionin e pasurisë së ish-RSFJ-së jashtë vendit. Shtetit tonë i takuan 7.5 milionë dollarë.
Interesant është fakti se, gjatë përpjekjes për ta blerë këtë ndërtesë, Epstein kontaktoi edhe ish-Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Miroslav Lajçak.
Ishte data 25 tetor 2017 kur Epstein i dërgoi një SMS Lajçakut se “shkova ta shoh ish-ambasadën jugosllave. Më thanë se është në shitje, por se të pesë qeveritë duhet të bien dakord, ajo serbe dhe të tjerat. Interesante”.
Lajçak iu përgjigj se “kurrë nuk do të bien dakord. Që nga viti 2001 po përpiqen të merren vesh për ndarjen e pasurisë dhe fundi nuk duket. Për gjithçka që lidhet me ish-Jugosllavinë ose shtetet pasardhëse aktuale, duhet të konsultohesh me mua, i njoh deri në thelb”.
Kujtojmë se Lajçak përmendet shpesh në dosjet për Epsteinin dhe se disa ditë më parë, për këtë arsye, ai dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, Robert Fico. /Telegrafi/