Mënyra e rregullimit të dhomës së ditës po ndryshon drejt zgjidhjeve më funksionale dhe të përshtatshme. Garniturat e mëdha këndore po zëvendësohen me pjesë mobiliesh modulare dhe më të vogla
Mënyra se si e rregullojmë dhomën e ditës vitet e fundit ka ndryshuar ndjeshëm. Hapësira nuk shihet më si një tërësi statike me një mobilie dominuese, por si një zonë funksionale që përshtatet me nevojat e përditshme.
Në këtë kontekst, garniturat e mëdha këndore, që dikur ishin simbol i komoditetit dhe prestigjit, gjithnjë e më shpesh po ia lëshojnë vendin zgjidhjeve më fleksibile dhe praktike. Edhe pse ofrojnë ndjesi rehatie, garniturat këndore kanë një mangësi të madhe, zënë shumë hapësirë dhe vështirë përshtaten me një mënyrë jetese dinamike.
Pasi vendosen një herë, hapësira bëhet e kufizuar. Ndryshimi i renditjes kërkon shumë përpjekje, e shpesh edhe kompromise shtesë. Në dhomat më të vogla kjo vërehet edhe më shumë, sepse çdo metër katror bëhet i çmuar.
Interierët bashkëkohorë gjithnjë e më shumë synojnë ajrosje dhe thjeshtësi, ku hapësira “merr frymë”, ndërsa mobiliet nuk dominojnë, por përshtaten, transmeton Telegrafi.
Mobiliet modulare si trend i ri
Në vend të një tërësie të madhe, gjithnjë e më popullor është kombinimi i elementeve më të vogla – divane, fotelje dhe segmente modulare që mund të vendosen sipas dëshirës.
Kjo qasje sjell një sërë përparësish:
• hapësira organizohet më lehtë
• renditja mund të ndryshohet pa mundim
• interieri duket më i lehtë dhe më modern
Dhoma e ditës kështu bëhet një hapësirë e përshtatshme, sot vend për pushim, nesër për shoqërim, e ditën tjetër për punë apo relaksim.
Më pak mobilie, më shumë hapësirë
Një nga përparësitë më të mëdha të këtij rregullimi është efekti vizual. Pjesët më të vogla të mobilies e hapin hapësirën dhe e bëjnë më të këndshme.
Kombinimi i një dyshje me një ose dy fotelje shpesh duket më elegant sesa një garniturë e madhe, ndërsa ofron të njëjtën funksionalitet. Për më tepër, mundëson liri më të madhe lëvizjeje dhe organizim më të mirë të hapësirës.
Dizajni bashkëkohor është dëshmi e qartë se rehatia nuk varet nga madhësia. Mobiliet e sotme janë të dizajnuara për të ofruar cilësi me më pak volum, ndërsa fokusi është zhvendosur te zgjidhjet e mençura, dizajni i mirë, materialet cilësore dhe shumëfunksionaliteti. /Telegrafi/