Dy lojtarë të Real Madridit nuk hyjnë në planet e Jurgen Klopp, i cili shihet si një nga alternativat kryesore për stolin madrilen pas përfundimit të sezonit.
Alvaro Arbeloa pritet të vazhdojë si trajner deri në verë, pas largimit të Xabi Alonsos, por e ardhmja e tij afatgjatë mbetet e pasigurt, pasi drejtuesit e klubit po shqyrtojnë opsione më të forta për të hapur një cikël të ri.
Edhe pse Arbeloa ka arritur të stabilizojë ekipin në një moment delikat dhe vlerësohet për menaxhimin dhe angazhimin e tij, kjo nuk garanton vazhdimësinë për sezonin 2026/27.
Brenda klubit ekziston bindja se vera e ardhshme do të jetë vendimtare dhe se Real Madridi ka nevojë për një trajner me përvojë të madhe ndërkombëtare për të udhëhequr projektin e ri sportiv.
Në këtë kontekst, emri i Jurgen Kloppit ka fituar shumë peshë, trajneri gjerman, i cili është larguar nga stolet pas përfundimit të aventurës së tij te Liverpooli, do të ishte i hapur për një rikthim në elitë nëse projekti sportiv është ambicioz dhe i qartë.
Megjithatë, ai nuk do ta pranonte postin pa pasur kontroll të plotë sportiv dhe pa bërë ndryshime të thella në përbërjen e skuadrës.
Sipas kësaj vizioni, dy lojtarë aktualë të Real Madridit nuk e bindin Kloppin, i pari është Jude Bellingham, i cili pas një fillimi shumë të fortë ka shfaqur rënie të ndjeshme në formë dhe ndikim në lojë.
Trajneri gjerman vlerëson talentin e tij, por beson se roli qendror që ka aktualisht nuk përputhet me performancat e fundit dhe kërkesat e modelit të tij të lojës.
Emri i dytë është Eduardo Camavinga, mesfushori francez ka kaluar muaj të vështirë, me mungesë vazhdimësie dhe paqartësi taktike.
Klopp konsideron se profili i tij nuk ofron stabilitetin dhe besueshmërinë që ai kërkon.
Këto dy largime shihen si kushte kyçe për ardhjen e gjermanit në ‘Santiago Bernabeu’, një skenar që po diskutohet gjithnjë e më seriozisht në prapaskenat e klubit. /Telegrafi/