Drita dhe Celje do të luajnë sot (e enjte) mes vete në ndeshjen e parë të vlefshme për fazën ‘play-off’ të Ligën së Konferencës.
Gjilanasit janë nikoqir të sllovenëve në aktin e parë të fazës ‘play-off’ të Ligës së Konferencës, me ndeshjen e paraparë të luhet në stadiumin Fadil Vokrri me fillim nga ora 21:00.
Ekipi i Zekirija Ramadanit erdhi deri te kjo fazë falë një fushate pozitive me 2 fitore, 2 barazimi dhe 2 humbje, ku siguroi tetë pikë dhe përfundoi në vendin e 20-të.
Në anën tjetër, ekipi slloven pati formë pak më të mirë duke marrë 3 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, për të marrë 10 pikë dhe për të mbyllur fazën e ligës në pozitën e 13-të.
Forma e ekipeve
Nga ndeshjet e fundit në fazën e ligës në Ligën e Konferencës kanë kaluar saktësisht dy muaj. Por, të dy ekipet kanë zhvilluar mjaftueshëm ndeshje që nga ajo kohë për të mbajtur formën.
Por, si qëndrojnë me formën e tyre Drita dhe Celje para perballjes së sotme?
Drita nga ndeshja e fundit me Rayo Vallecanon ka luajtur edhe tetë ndeshje tjera, mes kampionatit, Superkupës, Kupës dhe miqësoreve.
Nga këto tetë ndeshje, “Intelektualët” kanë marrë pesë fitore, dy barazime dhe një humbje.
Në anën tjetër, sllovenët kanë luajtur më pak ndeshje. Pesë gjithsej nga ndeshja e fundit ndaj Shelbourne në Ligën e Konferencës.
Nga këto pesë ndeshje, Celje ka marrë tri fitore, një barazim dhe një humbje, por kjo edhe për faktin se në fund të janarit është larguar edhe trajneri Albert Riera.
Vlera e ekipit dhe lojtarëve
Skuadra e Dritës e përbërë nga 27 lojtarë ka një vlerë tregu prej 7.58 milionë euro, ndërsa mosha mesatare e lojtarëve është 26.7 vjeç.
Lojtari më i vlefshëm i Dritës është sulmuesi Arb Manaj me një vlerë tregu prej 800 mijë eurosh. Ai pasohet nga Albert Dabiqaj dhe Raddy Ovouka me nga 600 mijë euro.
Pas tyre vijnë Rron Broja me 550 mijë euro, Egzon Bejtullai dhe Almir Ajzeraj me nga 500 mijë euro, Vesel Limaj, Jorgo Pëllumbi dhe Juan Mesa me nga 375 mijë euro dhe Blerim Krasniqi me 300 mijë euro.
Në anën tjetër, kundërshtarët slloven kanë një skuadër me 28 lojtarë dhe një vlerë tregu prej 12.70 milionë euro, me një moshë mesatare prej 26.3 vjeç.
Lojtari më i vlefshëm i tyre është Svit Seslar me 2.5 milionë euro, i ndjekur nga Nikita Iosifov me 1.2 milionë euro dhe Zan Karnicnik dhe Artemijus Tutyskinas me nga 800 mijë euro.
Pjesë e ekipit slloven është edhe ish-kapiteni i Kombëtares së Kosovës U-21, Milot Avdyli, i cili aktualisht ka një vlerë tregu prej 350 mijë eurosh. /Telegrafi/