Drejtori ekzekutiv i Juventusit, Damien Comolli, foli pas ndeshjes me Galatasaray, duke dhënë mbështetjen për trajnerin Luciano Spalletti, ndërsa shtoi se familja Agnelli, nuk do ta shes kurrë klubin.
Sa i përket rikthimit të Juventusit në majat e futbollit, Comolli ishte shumë i qartë se çelësi është vazhdimësia, duke i dhënë mbështetje të plotë trajnerit Luciano Spalletti.
“Nëse do të përgjigjesha sot, do të thosha vazhdimësi. Është e rëndësishme të mbajmë të njëjtin trajner, të njëjtën strategji dhe të njëjtin stil loje. Klubi ka pasur gjashtë, shtatë apo tetë trajnerë në dy ose tre vitet e fundit. Skuadra po e gjen identitetin e saj nën drejtimin e Spallettit”.
“Vazhdueshmëria – në vizion, në stil dhe në besimin ndaj lojtarëve që po tregojnë cilësitë e tyre – është ajo që na duhet për të pasur sukses”, deklaroi CEO i Juventus.
Comolli foli edhe për marrëdhënien e tij me pronarin e klubit, John Elkann, duke theksuar stabilitetin që ai i jep Juventusit.
Sipas tij, Elkann ka qenë shumë i qartë se nuk ka ndërmend ta shesë klubin dhe mbetet i përfshirë në çdo aspekt – financiarisht, emocionalisht dhe strategjikisht.
“John ka qenë shumë i qartë: ai nuk do ta shesë kurrë klubin. Ai ishte në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes për të falënderuar personalisht lojtarët dhe trajnerin. Është jashtëzakonisht i përfshirë dhe i përkushtuar”, u shpreh Comolli, duke nënvizuar mbështetjen e plotë të pronësisë ndaj projektit aktual. /Telegrafi/