Investitorët vendosen bast të madh prej 950 milionë dollarësh për rënien e çmimeve të naftës pak para shpalljes së armëpushimit.
Sipas të dhënave të LSEG, të cituara nga Reuters, vetëm disa orë para se Shtetet e Bashkuara dhe Irani të njoftonin armëpushimin, tregtarët shfrytëzuan rastin për të vendosur një bast jashtëzakonisht të madh, duke shitur një total prej 8,600 lote kontratash të ardhshme (futures) të naftës Brent dhe asaj amerikane.
Ky lloj transaksioni i realizuar dje në orën 19:45, sipas kohës sonë lokale, është i rrallë për shkallën dhe shpejtësinë e tij.
Edhe pse pozicionet e mëdha mbi luhatjet e çmimeve të naftës nuk janë të pazakonta në tregjet financiare, zakonisht këto kontrata shpërndahen gjatë orëve dhe bursa të ndryshme, duke përdorur algoritme tregtare për të menaxhuar rrezikun.
Marrëveshjet e një shtrirjeje kaq të madhe të njëherësh janë të rralla dhe zakonisht të rezervuara për tregtarët më me përvojë ose institucionet financiare më të mëdha.
Analistët tregojnë se që nga fillimi i luftës në rajon, volumi i tregtimit dhe paqëndrueshmëria në tregjet e naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve për ndikimin e konfliktit mbi furnizimin dhe çmimet globale.
Ky bast i madh për rënien e çmimeve tregon se disa tregtarë po përpiqen të përfitojnë nga pritshmëritë për një stabilizim të tregut pas armëpushimit, edhe pse pasiguria mbetet e lartë. /Telegrafi/