Drejtori për Arsim në Kryeqytet, Samir Shahini ka reaguar pas rastit të dhunës së ndodhur dje në shkollën fillore “Pavarësia”, duke e dënuar ashpër ngjarjen dhe duke kërkuar veprim të shpejtë nga institucionet e drejtësisë.
“Nga pozicioni si drejtor për arsim në kryeqytet, e dënoj fuqishëm rastin e ndodhur dje në Shkollën Fillore ‘Pavarësia’. Dhuna në shkolla është e papranueshme dhe nuk do të relativizohet në asnjë rrethanë. Institucionet e sigurisë tashmë e kanë rastin në trajtim dhe presim veprim të shpejtë dhe të plotë nga organet e drejtësisë”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka theksuar se rasti në fjalë nuk është i izoluar, por sipas tij përfaqëson pasojë të një dështimi më të gjerë institucional.
“Ky rast, megjithatë, nuk është i izoluar. Ai është pasojë e drejtpërdrejtë e një dështimi të gjerë institucional. Prej vitesh, shkollat po lihen të vetme përballë problemeve të rënda sociale, pa mbështetje reale dhe pa kapacitete minimale për ndërhyrje”, ka shtuar ai.
Shahini ka kritikuar mungesën e mbështetjes profesionale në shkolla, duke përmendur mungesën e psikologëve, punëtorëve socialë dhe mekanizmave mbrojtës.
“Sot, mësimdhënësi dhe nxënësi janë të pambrojtur, ndërsa shkolla po trajtohet padrejtësisht si institucioni që duhet të përthithë çdo dështim tjetër të shtetit”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, drejtori për Arsim ka adresuar kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj Ministrisë së Arsimit, duke e cilësuar atë përgjegjëse për gjendjen aktuale.
“Ministria e Arsimit mban përgjegjësi direkte për këtë gjendje. Në vend të veprimeve serioze, ajo vazhdon të prodhojë udhëzime administrative të shkëputura nga realiteti në terren”, ka theksuar Shahini, duke shtuar se “kjo nuk është reformë – është shmangie e përgjegjësisë”.
Ai ka bërë thirrje edhe për raportim të përgjegjshëm nga mediet, duke kritikuar sensacionalizmin dhe etiketimin pa fakte.
“Në këtë zinxhir dështimesh, edhe mediet kanë përgjegjësi. Sensacionalizimi, gjykimi i menjëhershëm dhe etiketimi i shkollave e i mësimdhënësve, pa fakte dhe pa kontekst, nuk ndihmon askënd”, ka deklaruar ai.
Shahini ka theksuar se shkollat dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk duhet të trajtohen si bartëse të dështimeve strukturore të institucioneve qendrore.
“Si Drejtor i Arsimit, refuzoj që shkollat dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit të trajtohen si shkarkues i dështimeve strukturore të nivelit qendror”, ka thënë ai.
Në fund, Shahini ka kërkuar veprim urgjent dhe të koordinuar nga të gjitha institucionet përkatëse.
“Kërkoj veprim urgjent, të koordinuar dhe të matshëm nga të gjitha hallkat – përfshirë Ministrinë e Arsimit, shërbimet sociale, organet e sigurisë, prindërit dhe mediet. Jo deklarata formale, jo burokraci, jo heshtje, por veprim”, ka përfunduar Shahini. /Telegrafi/