Jose Mourinho ka folur me nostalgji dhe respekt për Real Madridin, përpara ndeshjes së parë të play-off-it të Ligës së Kampionëve, duke mohuar spekulimet për një rikthim të mundshëm në “Santiago Bernabéu”.
“Nuk ka histori të tilla,” tha Mourinho kur u pyet për një rikthim hipotetik te Reali, edhe pse fjalët e tij sugjeruan se do të ishte i lumtur të pranonte një mundësi të tillë. Ai shtoi: “Po, sigurisht, Florentino mund të thotë jo.”
Duke reflektuar mbi tre vitet e tij në Madrid, trajneri portugez theksoi: “Dhashë gjithçka që kisha për Realin. Kishte gjëra të mira dhe të këqija, por dhashë gjithçka. Ndjej se njerëzit më respektuan për këtë, pavarësisht gabimeve dhe sukseseve. Megjithatë, nuk dua të nxis histori që nuk ekzistojnë”.
Mourinho kujtoi gjithashtu marrëdhënien e tij me Florentino Pérezin, duke konfirmuar se vazhdon të flas me të.
“Herën e fundit që folëm ishte kur nënshkrova për Benficën, ai më telefonoi për të më përgëzuar. Shpresoj që të vijë në ndeshje nesër. Kemi një miqësi të shkëlqyer, nuk ka nevojë ta fshehim këtë”, deklaroi ai.
Duke folur për largimin e tij nga Real Madridi, Mourinho shtoi se ai është nga të pakëtit që nuk u shkarkua.
“Duhet të jem një nga të paktët trajnerë që u larguan nga Madridi pa u shkarkuar. Kur largohesh me vendimin tënd, largohesh me ndërgjegje të pastër”, nënvizoi ai.
Sa i përket ndeshjes së ardhshme kundër Real Madridit, Mourinho ishte realist.
“Ta mposhtësh Realin është shumë e vështirë. Ta bësh dy, tre herë, t’i eliminosh… Nuk mendoj se duhet një mrekulli, por duhet loja jonë më e mirë. Do të luajmë me gëzim që jemi këtu dhe do të luftojmë”, përfundoi portugezi. /Telegrafi/