Naomi Watts me siguri di diçka për nderimin e ikonave të modës. Aktorja po mishëron ish-Zonjën e Parë Jackie Kennedy dhe i është përkushtuar plotësisht nderimit të kësaj ikone përmes stilit të saj
Në premierën e serisë, Watts veshi një fustan glamuroz, të drapuar, me detaje vezulluese rreth qafës, të kombinuar me doreza të bardha që arrinin deri në bërryl. Me këtë paraqitje spektakolare të firmosur nga Balenciaga, 57-vjeçarja Watts i bëri homazh shumë prej paraqitjeve elegante mbrëmjeve të Jackie O. Prandaj nuk është çudi që Watts ka përqafuar edhe stilin ikonik të rrugës së Jackie O.
Watts u fotografua në New York më 5 shkurt me një kostum elegant gri prej leshi nga marka Gia Studio, së bashku me një nga aksesorët e preferuar të Jackie O: një shall mëndafshi për kokë, elegant, me finesë dhe shije.
Kostumi i saj përbëhej nga një xhaketë e gjatë me rrip dhe pantallona të gjera me pala. Ajo zgjodhi aksesorë të bardhë, duke kombinuar një çantë retro të bardhë me taka të bardha. Shall-i i saj prej mëndafshi, i lidhur nën mjekër, ishte gjithashtu i bardhë me një bordurë blu të errët. Dukjen e plotësoi me një palë syze dielli të rrumbullakëta ngjyrë kafe, të tilla që Jackie O me siguri do t’i miratonte. Siç shkroi stilistja e saj Jeanann Williams në Instagram, ajo “po jepte plotësisht Jackie vibe”, transmeton Telegrafi.
“American Love Story” ndjek romancën dhe vdekjen tragjike të djalit të Jackie Kennedy, JFK Jr., dhe bashkëshortes së tij Carolyn Bessette-Kennedy. Vitin e kaluar, Watts u pa në xhirimet e serisë me një prerje flokësh bob ngjyrë kafe, teksa po hynte në rolin e saj.
Përgatitja për të portretizuar një figurë kaq ikonike kërkoi “shumë praktikë”, tha ajo në një intervistë për Today. “Mendoj se, padyshim, ajo është jashtëzakonisht e njohur. Një nga Zonjat e Para më mbresëlënëse”, vazhdoi ajo, duke shtuar se ishte “një privilegj i madh” ta mishëronte atë. /Telegrafi/