Dermatologia Rejhane Bislimi-Berisha në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital ka folur trajtimin e akneve e cila shpesh bëhet në mënyrë të gabuar nga vetë pacientët, të cilët përdorin produkte të ndryshme kozmetike dhe trajtime të shumta pa u konsultuar me dermatologun.
Sipas saj, kjo praktikë jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por në shumë raste mund ta përkeqësojë gjendjen e lëkurës.
“Gabimi më i madh që bëjnë pacientët me akne është përdorimi i shumë produkteve njëkohësisht pa u konsultuar me dermatologun”, tha Bislimi-Berisha.
Sipas saj, shumë njerëz ndikohen nga rekomandimet në rrjete sociale, reklamat apo përvojat e të tjerëve dhe fillojnë të përdorin produkte të ndryshme pa e ditur nëse ato janë të përshtatshme për lëkurën e tyre.
“Shpesh pacientët provojnë disa produkte njëherësh, duke menduar se kështu do ta zgjidhin më shpejt problemin, por në fakt kjo mund ta irritojë lëkurën dhe ta përkeqësojë aknen”, theksoi ajo.
Dermatologia shpjegoi se kombinimi i pakontrolluar i produkteve mund të dëmtojë barrierën natyrale të lëkurës dhe të shkaktojë irritim, skuqje apo tharje të tepërt.
“Çdo lëkurë është e ndryshme dhe trajtimi duhet të jetë i përshtatur për secilin pacient. Ajo që funksionon për dikë tjetër nuk do të thotë se do të funksionojë edhe për ju”, u shpreh Bislimi-Berisha.
Ajo theksoi se mënyra më e sigurt për të trajtuar aknet është konsultimi me dermatologun, i cili mund të vlerësojë gjendjen e lëkurës dhe të rekomandojë terapinë e duhur.
“Trajtimi i akneve duhet të jetë i kontrolluar dhe i personalizuar, në mënyrë që të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe të shmangen dëmtimet e mëtejshme të lëkurës”, tha Bislimi-Berisha.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com