Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka reaguar sërish rreth situatës së krijuar brenda LDK-së pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Veliu thekson se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.
“Ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike”, ka shkruar Veliu në një reagim në Facebook.
Ai shprehet se humbjet e LDK-së nuk mund të relativizohen e as të kalohen me heshtje.
“Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike. Prandaj: dera është e hapur!”, ka shkruar Veliu, duke i dërguar kështu mesazh direkt kryetarit aktual të partisë, Lumir Abdixhiku.
Veliu bën thirrje për një proces të hapur dhe demokratik brenda LDK-së, duke përfshirë: Analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, hapje të brendshme dhe demokraci funksionale dhe proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit.
Ai thekson rëndësinë e ekipit dhe jo e individëve të përhershëm.
“LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm! Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së”, ka theksuar Veliu.
Duhet theksuar se ditëve të fundit ka pasur shumë zëra kritik brenda dhe jashtë LDK-së, rreth rënies që kjo parti ka pasur në rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke fajësuar lidershipin e këtij subjekti për mungesë vizioni. /Telegrafi/