Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka dorëzuar sot amendamentet e tij të para në Kuvend, duke theksuar se iniciativa nuk ka lidhje me paga apo komoditet politik, por me të ardhmen e vendit.
“Jo për paga, as për zyra të reja e as për komoditet politik. Për të ardhmen”, tha Sadiku.
Ai përmes një postimi në Facebook, shpjegoi se propozimi i tij bazohet në tre shtylla që do të përcaktojnë zhvillimin e Kosovës në dekadat që vijnë.
Sadiku theksoi rëndësinë e integrimit të inteligjencës artificiale në sistemin arsimor.
“Nëse fëmijët tanë mësojnë sot si para 20 viteve, ne po i përgatisim për një botë që nuk ekziston më. Inteligjenca Artificiale nuk duhet të jetë vetëm temë debati – duhet të hyjë në klasa,” tha ai.
Sipas tij, kjo do të përfshijë laboratorë digjitalë, platforma mësimore me AI dhe trajnim për mësimdhënësit.
Deputeti vuri në dukje se mijëra qytetarë presin muaj për analiza mjekësore dhe se AI mund të përshpejtojë dhe përmirësojë saktësinë e diagnozave.
“Një qendër kombëtare diagnostike me AI do të thotë më pak pritje, më pak gabime, më shumë jetë të shpëtuara. Teknologjia nuk e zëvendëson mjekun, e fuqizon atë,” tha Sadiku.
Sadiku nënvizoi nevojën për digjitalizim të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës.
“Arkiva të digjitalizuara për krimet e luftës – për të vërtetën dhe drejtësinë. Platforma digjitale për trashëgiminë kulturore – që bota ta njohë identitetin tonë. Sisteme moderne për turizmin – që Kosova të mos mbetet sekret,” deklaroi ai.
Deputeti i LDK-së përfundoi duke theksuar se kjo është vetëm një sinjal për të nisur diskutime mbi të ardhmen.
“Këto amendamente nuk janë perfekte. Por janë sinjal që në Kuvend duhet të flitet për të ardhmen, jo vetëm për pushtetin. Sinjal që teknologjia nuk është luks – është infrastrukturë shtetformuese,” tha Sadiku.
Ai shtoi se ka hyrë në Kuvend për të shtyrë Kosovën drejt një shteti digjital, të drejtë dhe konkurrues. /Telegrafi/