Nga: Antonio Muñoz Molina
Përktheu: Bajram Karabolli
Demokracia duhet të mësohet, sepse nuk është e natyrshme, sepse shkon kundër prirjeve të thella njerëzore. Ajo që është e natyrshme nuk është barazia, por dominimi i të fortit mbi të dobëtin. Ajo që është e natyrshme është klani familjar dhe fisi, lidhjet e gjakut, dyshimi ndaj të kujtdo, lidhja me të njohurit, refuzimi i atyre që flasin ndryshe. Tendenca për të vënë dëshirat e veta mbi të gjitha, pa marrë parasysh pasojat për të tjerët. Ajo që është e natyrshme është kërkesa e kufizimeve te të tjerët dhe mospranimi i tyre në vetvete. Të besosh se je qendra e botës, se je qendra e universit dhe se Dielli rrotullohet rreth teje. Paragjykimi është shumë më i natyrshëm sesa një dëshirë e sinqertë për dije. Të besosh se i natyrshëm është barbarizmi, jo qytetërimi; të besosh te britmat dhe grushtimi, jo argumenti bindës; të kërkosh kënaqësinë e menjëhershme, jo angazhimin afatgjatë; të besosh se është e natyrshme të kesh njerëz të bindur dhe jo nënshtetas, jo qytetarë të vërtetë; të ushtrosh sundimin jo administrimin e së mirës së përbashkët; të besosh se injoranca është e natyrshme dhe e domosdoshme.
Nëse demokracia nuk ushtrohet me durim dhe përkushtim në praktikën e përditshme, parimet e saj të mëdha mbeten bosh ose shërbejnë si një perde tymi për korrupsion dhe demagogji.
Qëllimi i gënjeshtrës së vazhdueshme nuk është t’i bësh njerëzit të besojnë një gënjeshtër, por të sigurohesh që askush të mos besojë më kurrë, në asgjë.
Një popull që nuk mund të dallojë më midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, nuk mund të dallojë midis të mirës dhe të keqes.
Dhe një popull i tillë, i privuar nga fuqia për të menduar dhe gjykuar, është, pa e ditur ose pa e dashur, plotësisht i nënshtruar sundimit të gënjeshtrave.
Me njerëz të tillë, mund të bësh çfarë të duash.
Britma ose grushti dhe jo argumenti bindës, janë kënaqësi e tiranit dhe autokratit.
– Lexo po ashtu nga Antonio Muñoz Molina: Të jetosh nga letërsia