Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri në detyrë, Imri Demelezi, i dorëzoi zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Armend Muja.
Gjatë ceremonisë, ministri Demelezi e njoftoi Muja për zhvillimet kryesore në sektorin e bujqësisë, për reformat e ndërmarra dhe për projektet dhe programet mbështetëse të realizuara gjatë mandatit katërvjeçar, me theks të veçantë te rritja e subvencioneve, investimet në infrastrukturën rurale dhe mbështetja për fermerët dhe agro-përpunuesit.
Ministri i ri, Armend Muja, falënderoi Demelezin për kontributin e tij dhe u angazhua të avancojë politikat bujqësore dhe zhvillimore.
“E falënderoj ministrin Demelezi për punën dhe përkushtimin e tij. Do të angazhohem maksimalisht që politikat bujqësore dhe zhvillimore të avancojnë edhe më tej, duke fuqizuar sektorin e bujqësisë. Prioritet i yni do të jetë mbështetja e qëndrueshme për prodhimin vendor, modernizimi i sektorit dhe zhvillimi i projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e zonave rurale”, tha Muja. /Telegrafi/