Mbreti Charles ka bërë deklaratën e tij të parë lidhur me skandalin Epstein, duke thënë se Pallati i Buckinghamit është gati të mbështesë policinë ndërsa ata shqyrtojnë akuzat kundër Andrew Mountbatten-Windsor.
“Mbreti e ka bërë të qartë, me fjalë dhe përmes veprimeve të pashembullta, shqetësimin e tij të thellë për akuzat që vazhdojnë të dalin në dritë në lidhje me sjelljen e Mountbatten-Windsor”, tha një zëdhënës i Pallatit, transmeton Telegrafi.
“Ndërsa pretendimet specifike në fjalë duhet t’i adresojë Mountbatten-Windsor, nëse na kontakton policia, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata siç do të prisnit”, tha ai.
Kjo vjen pasi policia konfirmoi se po vlerëson nëse ka baza për të hetuar një ankesë nga grupi anti-monarki, i cili raportoi Mountbatten-Windsor për dyshime për sjellje të pahijshme në detyrën publike dhe shkelje të sekreteve zyrtare.
Emailet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë sugjeronin se ish-Princi Andrew kishte ndarë informacione konfidenciale me Jeffrey Epstein, kur ai shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 2010 dhe 2011.
Këto dosje të fundit të Epstein tregojnë se Andrew përcjell raporte zyrtare të vizitave në Singapor, Hong Kong dhe Vietnam.
Kishte gjithashtu detaje të mundësive të investimit në Afganistan, të përshkruara si “konfidenciale”, të cilat iu kaluan Epstein.
Deklarata e Pallatit të Buckingham thotë se “mendimet dhe simpatitë e Mbretit dhe Mbretëreshës kanë qenë dhe mbeten me viktimat e çdo forme abuzimi”.
Kjo vjen pas një deklarate të mëparshme nga zëdhënësi i Princit dhe Princeshës së Uellsit, i cili tha se ata ishin “thellësisht të shqetësuar” nga zbulimet e fundit rreth Epstein. /Telegrafi/