Në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik të dërgesës, janë konstatuar mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit, i cili ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim.
“Gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është konstatuar se mallrat nuk përbëjnë lëndë të parë, por janë produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë. Me këtë veprim, është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni shtesë përkatës, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme. Vlera totale e mallrave arrin rreth 49,000 euro”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se ky rast përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve fiskale. /Telegrafi/