Mesfushori i Manchester City, Rodri, është gjobitur me 80,000 funte dhe është paralajmëruar për sjelljen e tij në të ardhmen pas komenteve që bëri pas barazimit 2-2 të skuadrës së tij me Tottenham Hotspur.
Vendimi disiplinor erdhi pas një seance dëgjimore lidhur me deklaratat që lojtari i kombëtares spanjolle bëri në intervistat për media pas ndeshjes së Premier League në stadiumin e Tottenhamit.
City e kishte marrë kontrollin e ndeshjes që në fillim, duke krijuar një epërsi 2-0, përpara se Spurs të riktheheshin në fund të takimit. Momenti vendimtar erdhi në një situatë të diskutueshme kur Dominic Solanke dukej se goditi me shkelm Marc Guehi brenda zonës së penalltisë.
Topi më pas devijoi nga portieri Gianluigi Donnarumma dhe goli u lejua të qëndronte në fuqi pas një shqyrtimi nga sistemi VAR i Ligës Premier.
Solanke më vonë gjeti sërish rrjetën për të siguruar barazimin 2-2 për Tottenhamin, duke kompletuar rikthimin e vendasve dhe duke lënë Cityn të zhgënjyer me vendimet e arbitrimit.
Duke folur pas ndeshjes, Rodri e kritikoi vendimin dhe sugjeroi se gjyqtari nuk kishte arritur të mbetej plotësisht neutral.
“E di që kemi fituar shumë trofe dhe njerëzit nuk duan që ne të fitojmë, por gjyqtari duhet të jetë neutral dhe për mua, sinqerisht, kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë sepse punojmë shumë për këto situata dhe pastaj përballesh me vendime të tilla”.
“Sigurisht që duhet të vazhdosh përpara, por në fund, kur gjithçka përfundon, ne mbetemi të frustruar sepse faulli është shumë i qartë. Ai goditi këmbën dhe më pas, me devijimin e topit, ai përfundoi në rrjetë. Duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre detajeve të vogla, përndryshe do të jetë e vështirë për të gjithë, sepse kjo ligë vendoset nga detaje të vogla dhe gjithçka ka rëndësi. Për ne ishte një ditë shumë e vështirë në këtë aspekt”, kishe deklaruar Rodri. /Telegrafi/