Pavarësisht formës së tij të mirë individuale, Pedro Porro po kalon një periudhë të vështirë te Tottenham Hotspur. Kjo situatë ka tërhequr vëmendjen e Manchester City, i cili po monitoron nga afër mundësinë për ta transferuar mbrojtësin e krahut.
“Qytetarët” janë të përfshirë në disa fronte këtë sezon. Gara për titullin në Ligën Premier është komplikuar pas barazimit me West Ham United, ndërsa në Ligën e Kampionëve do të duhet një përmbysje e madhe për të siguruar kualifikimin në çerekfinale pas humbjes 3-0 nga Real Madridi në ndeshjen e parë..
Në aspektin e merkatos, drejtuesit e klubit nga “Etihad” po i japin prioritet forcimit të krahut të djathtë të mbrojtjes. Në këtë drejtim, profili i Porros shihet si një opsion shumë i përshtatshëm.
Sipas Football Insider, situata mund të përshkallëzohet ndjeshëm nëse Tottenham përballet me rënien nga kategoria. Një skenar i tillë do ta detyronte klubin londinez të rishikojë strategjinë dhe mund të ulë ndjeshëm çmimin e kartonit të lojtarit, i cili ka kontratë deri në vitin 2028.
Kjo do të ishte një mundësi ideale për Manchester Cityn, që tashmë po përgatitet të përfitojë nga çdo dobësi në pozicionin negociues të Spurs.
Ndërkohë, Porro synon të konsolidojë një rol kyç me Spanjën përpara Kupës së Botës, ndërsa interesim për të ka shfaqur edhe Real Madrid.
Spurs kishin paguar 40 milionë euro për spanjollin, derisa tani vlera e tij sillet rreth 60 milionë. 26-vjeçari këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka bërë gjashtë asistime në të gjitha garat me fanellën e Tottenham. /Telegrafi/