Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha ka nisur zyrtarisht epokën e saj të re muzikore me publikimin e këngës së parë nga albumi i ri vizual, “Dirty Blonde”.
Projekti vjen si paralajmërimi i parë i albumit të shumëpritur “I Like You Better Than Me”, i cili tashmë ka ngjallur interes të madh te fansat.
Kënga është publikuar në të gjitha platformat muzikore dhe shënon vetëm fillimin e një serie prej gjithsej 13 këngësh që do të lansohen gradualisht.
– YouTube youtu.be
Duke qenë se bëhet fjalë për një album vizual, çdo projekt pritet të shoqërohet me klip përkatës, duke e kthyer publikimin në një eksperiencë të plotë audiovizuale për publikun.
Po në të njëjtën ditë, artistja publikoi edhe një video përmbledhëse me fragmente nga të gjitha këngët e albumit, ku një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte pjesa nga kënga Çike ike.
Në këtë fragment, ajo surprizon fansat duke kënduar në shqip vargjet: “Çike çike, luje belin çike; Ti je një bombë, bombë atomike”, një detaj që është pritur me entuziazëm nga publiku shqiptar.
– YouTube youtu.be
Albumi i plotë pritet të publikohet shumë shpejt dhe, duke gjykuar nga reagimet e para dhe kurioziteti i fansave, pritet të jetë një tjetër sukses i madh në diskografinë e artistes. /Telegrafi/