Enzo Fernandez ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga Chelsea gjatë verës, pas eliminimit të rëndë nga Paris Saint-Germain me rezultat të përgjithshëm 8-2 në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.
Mesfushori argjentinas, në një intervistë për ESPN Argentina më 17 mars, dha një përgjigje të kujdesshme kur u pyet për të ardhmen e tij.
“Nuk e di – për momentin jam i fokusuar këtu. Do të shohim”, deklaroi Fernandez.
Megjithatë, sipas raportimeve të Daily Mail, klubi londinez ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e lojtarit dhe nuk është e qartë nëse ai konsiderohet i paprekshëm në skuadër.
Fernandez ka edhe gjashtë vite kontratë me Chelsean, gjë që i jep klubit një pozicion të fortë në çdo negociatë të mundshme. Deri më tani, nuk ka pasur oferta konkrete nga klube të mëdha si Paris Saint-Germain apo Real Madrid.
Pavarësisht spekulimeve, ai mbetet një nga lojtarët kyç të Chelseat. Në këtë sezon, Fernandez ka zhvilluar 45 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 12 gola dhe duke dhënë 6 asistime.
E ardhmja e tij pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara në afatin kalimtar të verës. /Telegrafi/