Këngëtarja, Chappell Roan, është përfshirë në polemika pasi është akuzuar se përmes rojes së saj të sigurisë ka frikësuar vajzën 11-vjeçare të aktorit Jude Law gjatë një incidenti në një hotel në Sao Paulo.
Ngjarja u bë publike nga futbollisti Jorginho, i cili është bashkëshorti i Catherine Harding – ish-partneres së Jude Law dhe nëna e vajzës. Pra, bëhet fjalë për vajzën e familjes së tij.
Sipas Jorginhos, vajza u emocionua kur pa këngëtaren në hotel dhe thjesht kaloi pranë saj për të parë nëse ishte vërtet ajo, pa e shqetësuar, shkruan DailyMail.
Megjithatë, një roje sigurie iu afrua në mënyrë agresive familjes, duke i akuzuar për “ngacmim”.
Ai tregoi se vajza u tremb nga situata dhe shpërtheu në lot, duke e cilësuar reagimin si të pajustifikuar dhe të tepruar ndaj një fëmije.
Ngjarja ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ndërsa këngëtarja nuk ka reaguar ende publikisht. /Telegrafi/