Hisashi Ouchi ishte një bashkëshort, një baba.
Ai punonte në një central bërthamor në Japoni, gjë që e çoi atë të përjetonte “vdekjen më të dhimbshme të dokumentuar ndonjëherë”.
Ouchi mbeti “i djegur nga brenda jashtë”, me lëkurën që i zhvishej dhe indet që i shkriheshin ngadalë , dhe u mbajt gjallë për 83 ditë të tmerrshme kundër vullnetit të tij.
Ai iu lut vazhdimisht mjekëve që t’i jepnin fund jetës së tij dhe iu nënshtrua vazhdimisht operacioneve dhe trajtimeve eksperimentale edhe kur nuk kishte më shpresa.
Ouchi, 35 vjeç, ishte teknik i lartë në uzinën e përpunimit të uraniumit Tokaimura në Japoni, rreth 110 km në verilindje të Tokios.
Uzina kishte një histori neglizhence – në vitin 1997, një zjarr në Tokaimura ekspozoi 37 anëtarë të stafit ndaj niveleve të larta të rrezatimit.
Më 30 shtator 1999, Ouchi u ekspozua ndaj 17,000 milisivertëve (mSv) rrezatim ndërsa punonte.
Kjo është 140 herë më e lartë se doza ndaj së cilës u ekspozuan njerëzit që jetonin në Çernobil pas katastrofës së vitit 1986 dhe doza më e lartë e regjistruar ndonjëherë në historinë e njerëzimit.
Ekspozimi u shkaktua edhe një herë nga neglizhenca e operatorëve të uzinës.
Gjatë operacioneve rutinë, kolegu i Ouchit, Masato Shinohara, dhe mbikëqyrësi Yutaka Yokokawa derdhën shtatë herë sasinë e duhur të uraniumit në një rezervuar përpunimi.
Kjo shkaktoi një reaksion zinxhir bërthamor të pakontrolluar të njohur si aksident kritik, duke lëshuar menjëherë rrezatim vdekjeprurës në të gjithë objektin.
Ouchi menjëherë filloi të vjellë dhe mbeti pa vetëdije.
Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Universitetit të Tokios, ku mjekët regjistruan djegie nga rrezatimi në pjesën më të madhe të trupit të tij dhe një numër të qelizave të bardha të gjakut që i afrohej zeros.
Kjo do të thoshte se Ouchi nuk kishte sistem imunitar funksional.
Gjashtë ditë pasi mbërriti në spital, një specialist analizoi imazhet e kromozomeve të qelizave të palcës së kockave të Ouchit. Ato ishin shkatërruar, duke lënë pas vetëm njolla të vogla të zeza.
Por mjekët besonin se mund ta mbanin gjallë, edhe pse organet e tij të brendshme shkriheshin dhe ndalonin së funksionuari.
Ata provuan procedura eksperimentale, duke përfshirë një transplant qelizash staminale dhe transplante lëkure.
Megjithatë, gjendja e Ouchit vetëm sa u përkeqësua.
Lëkura e tij nuk ishte në gjendje të rigjenerohej, duke i lënë mishin dhe muskujt e tij të ekspozuar.
Ai nuk mund të merrte frymë pa mbështetje.
Prishja e mukozës së stomakut të tij nënkuptonte se ai prodhonte deri në tre litra diarre në ditë dhe mund të hante vetëm përmes një tubi.
Dhimbja u bë aq e fortë saqë, Ouchi iu lut mjekëve ta linin të vdiste.
“Nuk mund ta duroj më”, thuhet se u tha atyre.
Më 21 dhjetor 1999, ai vdiq. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte dështimi i shumëfishtë i organeve.
Katër muaj më vonë, në prill të vitit 2000, kolegu i tij Shinohara vdiq gjithashtu për shkak të dështimit të shumëfishtë të organeve.
Një hetim nga qeveria japoneze arriti në përfundimin se aksidenti ishte shkaktuar nga mungesa e mbikëqyrjes, mungesa e sigurisë dhe trajnimi i pamjaftueshëm për punëtorët.
Gjashtë zyrtarë nga kompania që operonte uzinën u akuzuan më vonë për neglizhencë profesionale dhe për shkelje të ligjeve të sigurisë bërthamore.
Në vitin 2003, atyre iu dhanë dënime me burgim me kusht. /Telegrafi/