Poezi nga: Dulce Maria Loynaz
Përktheu: Bajram Karabolli
Një rrjetë e endur me fije të padukshme,
një burg ajri në të cilin mezi lëviz,
një rrjetë drite që nuk duket si kurth,
dhe në të cilin këmba ime mbeti e lidhur
midis litarëve edhe të dritës.
Një burg pa roje dhe pa zinxhirë,
ku ditë për ditë ha bukën time dhe pi ujin tim …
Ndërsa atje jashtë
të gjitha shtigjet e tokës,
duke u dridhur lulëzojnë për mua,
sepse ende janë të miat!