Bullgaria ka dërguar një letër Këshillit Evropian, sipas së cilës, denoncohet dhuna ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Një letër i është paraqitur Këshillit të Evropës mbi masat kundër dhunës dhe gjuhës së urrejtjes kundër bashkësisë etnike bullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dokumenti i drejtohet Komitetit të Ministrave dhe është regjistruar si pyetje me shkrim nr. 806 e datës 17 shkurt 2026”, raportoi sot BGNES.
Teksti u nënshkrua nga nënkryetarja e grupit parlamentar GERB-SDF, Denica Saçeva, përfaqësuese e Bullgarisë në Asamblenë Parlamentare, nga grupi politik EPP/HD.
Dokumenti thotë se Asambleja Parlamentare, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) dhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut kanë marrë sinjale të shumta për gjuhë urrejtjeje dhe incidente armiqësore të drejtuara kundër njerëzve me origjinë bullgare në Maqedoninë e Veriut.
Theksohet se luftimi i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes është një detyrim themelor i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe kërkon një qasje gjithëpërfshirëse. Ndër aktivitetet e nevojshme janë rritja e ndërgjegjësimit publik, trajnimi i autoriteteve policore dhe gjyqësore dhe mbledhja sistematike e të dhënave të detajuara.
Autori i tekstit vëren se aktualisht nuk po merren masa konkrete nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të kufizuar dhunën kundër bashkësisë etnike bullgare./Telegrafi/