Përshtatja mes punës dhe jetës private duket se është më sfiduese për personat e tipit të mbrëmjes, sesa për ata që zgjohen herët
Personat që funksionojnë më mirë në orët e vona priren të rikuperohen më vështirë nga puna dhe kanë më shumë gjasa të raportojnë simptoma të ankthit e depresionit, si dhe diagnoza të lidhura me shëndetin mendor, krahasuar me tipat e mëngjesit. Studimet sugjerojnë gjithashtu se ritmet e vona të gjumit mund të shoqërohen me zakone më pak të shëndetshme të jetesës.
U studiua balanca mes punës dhe jetës private
Një studim i fundit psikologjik nga shkencëtarët e University of Eastern Finland analizoi nëse vështirësitë në ruajtjen e ekuilibrit mes punës dhe jetës private ndikojnë në lidhjen ndërmjet ritmit individual cirkadian, depresionit dhe çrregullimeve të ankthit.
Studiuesit morën parasysh gjithashtu ndryshimet e mundshme në sjelljet shëndetësore ndërmjet tipeve të ndryshme cirkadiane.
Hulumtimi, i botuar në revistën Sleep Health, përfshiu 2.266 persona në moshë pune në Finlandë. Pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe sipas ritmit të tyre cirkadian: tipa të mëngjesit, tipa të mbrëmjes dhe tipa të ndërmjetëm.
Studiuesit vlerësuan simptomat e ankthit dhe depresionit, shkallën në të cilën puna ndërhynte në kohën e lirë, si dhe sa mirë arrinin pjesëmarrësit të rikuperoheshin pas angazhimeve profesionale, transmeton Telegrafi.
Problemet më të theksuara te tipat ekstremë të mbrëmjes
Rezultatet treguan se problemet e shëndetit mendor ishin veçanërisht të theksuara te personat me prirje të fortë për të qenë aktivë në mbrëmje dhe gjatë natës.
Lidhja ndërmjet kronotipit të mbrëmjes dhe çrregullimeve të ankthit dukej se shpjegohej pjesërisht nga rikuperimi më i dobët pas punës dhe nga vështirësitë në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet jetës profesionale dhe asaj private.
Kjo nuk do të thotë se të qenët “buf nate” shkakton domosdoshmërisht ankth ose depresion. Studimi tregon një lidhje mes këtyre faktorëve, ndërsa në të mund të ndikojnë edhe orari i punës, zakonet e gjumit, stresi dhe mënyra e jetesës.
Problemet e shëndetit mendor te personat në moshë pune përbëjnë një sfidë gjithnjë e më të madhe. Për këtë arsye, studiuesit theksojnë rëndësinë e të kuptuarit se cilët persona mund të jenë më të ndjeshëm ndaj efekteve negative të organizimit të punës.
Sipas autores kryesore të studimit, Ilona Merikanto, masat që synojnë përmirësimin e ekuilibrit mes punës dhe jetës private dhe rikuperimin pas punës mund të orientohen më mirë drejt personave që kanë më shumë nevojë për to.
Një qasje e tillë, sipas saj, mund të ndihmojë jo vetëm në përmirësimin e mirëqenies në vendin e punës, por edhe në zvogëlimin e pabarazive ndërmjet punonjësve. /Telegrafi/