Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me shkollat fillore dhe Policinë, organizoi sot një aktivitet sensibilizues me nxënësit e klasave të para, me fokus rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë e fëmijëve në komunikacion.
Në aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili theksoi rëndësinë e edukimit të hershëm të fëmijëve për rregullat e komunikacionit dhe nevojën për krijimin e një mjedisi më të sigurt për ta.
Gjatë takimit, nxënësit u njohën me rregullat themelore të sjelljes dhe lëvizjes së sigurt në trafik. Përmes materialeve edukative dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, fëmijëve iu shpjegua rëndësia e respektimit të rregullave të komunikacionit, veçanërisht gjatë kalimit të rrugës dhe lëvizjes pranë saj.
Në kuadër të aktivitetit, nxënësve iu shpërndanë edhe fletushka informative dhe jelekë reflektues, të cilët synojnë të rrisin dukshmërinë dhe sigurinë e tyre gjatë lëvizjes në rrugë.
Ky aktivitet tashmë prej disa vitesh organizohet nga Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe Policinë, si pjesë e angazhimeve të përbashkëta për edukimin, ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në komunikacion.